Në orët e para të mëngjesit të sotëm, dritat u fikën për një nga yjet më të ndritshëm të letërsisë shqiptare. Ismail Kadare, shkrimtari më i madh i kombit dhe personaliteti qendror i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, mbylli sytë përgjithmonë. Lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër dhe mbylli sytë përgjithmonë më 1 korrik 2024.
Ismail Kadare lindi në qytetin historik të Gjirokastrës, ku nisi rrugëtimin e tij të gjatë drejt majave të letërsisë. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ai u diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, dhe më pas vijoi studimet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” në Moskë.
Fillimet e tij letrare ishin të lidhura ngushtë me poezinë, duke sjellë botime të tilla si “Frymëzime djaloshare” (1954), “Ëndërrimet” (1957), dhe “Shekulli im” (1961). Krijimtaria e tij poetike u pasua nga një seri veprash të tjera të rëndësishme që e vendosën atë në qendër të letërsisë shqipe dhe i dhanë një frymë emancipimi kulturës kombëtare.
Vepra e parë e rëndësishme e Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), përbën një pikë kthese në prozën moderne shqiptare. Kadareja e ka vështruar të shkuarën jo vetëm si histori qëndrese heroike, por edhe si histori mbijetese të identitetit shqiptar, duke sjellë romane të tillë si “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha” dhe “Muzgu i perëndive të stepës”.
Në romanin “Kush e solli Doruntinën” (1979), Kadareja rikthen në vëmendje ringjalljen dhe rilindjen, duke nxjerrë në pah vlerat e humanizmit që gjenden në baladat e hershme shqiptare. “Kronikë në gur” (1971) tregon luftën antifashiste përmes syve të një fëmije, ndërsa “Kështjella” përshkruan historinë e heroizmit kolektiv, duke ngritur në piedestal kultin e bashkësisë.
Pas viteve 1990, letërsia e Kadaresë vazhdoi të mbartë të njëjtat tipare thelbësore, duke shpërfaqur identitetin shqiptar dhe frymën tetnografike. Veprat e tij janë përkthyer dhe botuar në mbi 45 gjuhë të huaja, duke e bërë atë shkrimtarin shqiptar më të njohur në botë dhe laureat të shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.
Humbja e tij është një goditje e madhe për kombin shqiptar, por trashëgimia e tij letrare do të vazhdojë të ndriçojë rrugëtimin e letërsisë shqiptare për brezat që vijnë./UBTNews/