Nga Matt Ford
Edhe në momentin kurorëzues të triumfit më të madh personal të Leo Messit, Gianni Infantino dhe Sheiku Tamim bin Ahmad Al Thani nuk mund t’i rezistonin tundimit që ta vërtisnin gjithçka rreth tyre.
Ndërsa Emiri i Katarit e mbështillte kapitenin argjentinas me një bisht të zi dhe të florinjtë, presidenti narcisist i FIFA-s u kap sa më gjatë të mundej pas trofeut të lakmuar, i dëshpëruar për të qenë sa më gjatë në fotografitë dhe pamjet e momentit të madh të Messit.
Në fund, sigurisht Infantino dhe FIFA e shohin Botërorin 2022 në Katar si një punë të bërë mirë. Nuk kish si të ishte ndryshe. Por kjo nuk do të thotë që ata fituan.
Një fitore për FIFA-n dhe Katarin
Kur organi qeverisës i futbollit botëror komplotoi për t’ia dhënë turneun Katarit në vitin 2010, ai e bëri këtë me sigurinë që, nga pikëpamja logjistike, mega-aktivitetet moderne globale organizohen më së miri nga autokracitë:
Nuk kanë parlament të zgjedhur në mënyrë demokratike për të shqyrtuar shpërndarjen e mbi 220 miliardë dollarëve në infrastrukturë, asnjë shtyp i lirë për të hetuar vdekjet e pashpjegueshme të qindra, ndoshta mijëra punëtorëve migrantë të shfrytëzuar dhe asnjë aktivist të bezdisshëm të të drejtave të njeriut për të mbrojtur të drejtat e grave ose të komunitetit LGBT.
Më shumë një shans për populistin Infantino që të ngrejë dy gishta në fuqitë tradicionale evropiane të UEFA-s dhe të marrë mbështetjen e dhjetëra shoqatave më të vogla kombëtare të futbollit në përpjekjen e tij për t’u rizgjedhur, nën mantelin e ofrimit të futbollit për të gjithë.
Sa i përket Katarit, ishte më pak një ushtrim i suksesshëm në organizim garash sportive, por më shumë në diplomacinë gjeopolitike dhe sigurinë kombëtare. Përpara sipërmarrjeve të tij në sportet globale, Katari ishte një shtet i vogël, i pasur me naftë, por i pambrojtur, po aq i prekshëm ndaj bllokadave (ose më keq) nga fqinjët më të fuqishëm, sa Kuvajti në fillim të viteve 1990.
Por tani, Katari është mirë dhe me të vërtetë në hartë, një partner i domosdoshëm ndërkombëtar në politikë, ekonomi, sport dhe argëtim. Të gjithë fitojnë – por jo futbolli, sporti që bëri të mundur gjithçka, loja e njerëzve, e cila iu mor atyre për të cilët ka më shumë domethënie, u abuzuar dhe instrumentalizua, për të mirën e një elite të vogël.
…por futbolli nuk do të jetë kurrë i tyre
E megjithatë, edhe në fund të një turneu që e çoi hiper-kapitalizimin e futbollit në nivele më të turpshme se kurrë më parë, kjo finale e Kupës së Botës na kujtoi se nuk do të jetë kurrë sporti i tyre.
Në fushë na u kujtua se futbolli i përket talenteve të pamata të Lionel Messit dhe Kylian Mbappesë, që përfaqësojnë breza të ndryshëm futbolli, por që kontribuojnë në mënyrë të barabartë në një finale e cila me siguri do të konsiderohet si më e madhja e të gjitha kohërave.
Në fund, na u kujtua se futbolli i përket trajnerëve si Didier Deschamps, zëvendësimi i dyfishtë i të cilit në pjesën e parë u duk brutal për Olivier Giroud dhe Ousmane Dembélé, të cilët u tërhoqën, por që u frymëzuan kur Kolo Muani dhe Marcus Thuram ndihmuan Mbappenë të tërhiqte Francën drejt barazimit.
Në tribuna, megjithë përpjekjet e FIFA-s për ta kthyer Kupën e Botës në një ngjarje groteske komerciale me çmime zhvatëse të biletave, numërim mbrapsht për fillimin, shfaqje të cekëta dhe muzikë shurdhuese pop për një klasë të lartë botërore, argjentinasit me fanellat e tyre ikonike të klubeve, pankartat e punuara me dorë dhe këngët e mrekullueshme melodike na kujtuan se si është në të vërtetë kultura autentike e tifozëve të futbollit.
Dhe në Buenos Aires, skenat e gëzimit ndërsa tifozët derdheshin në rrugë për të festuar na kujtuan rëndësinë e futbollit për identitetin kombëtar – dhe në të vërtetë në forma të tjera identiteti, siç e demonstroi Maroku.
Futbolli për botën myslimane – falë Marokut, jo Katarit
Në të vërtetë, luanët e Marokut meritojnë të përmenden, duke u bërë skuadra e parë afrikane dhe skuadra e parë nga bota arabe që arrin në gjysmëfinale të Kupës së Botës – e mbajtur për herë të parë në një vend mysliman.
Një gjë për të cilën Infantino dhe të tijtë të drejtë është se bota islame meritonte një Kupë Bote, një çështje e cila është kaq e rëndësishme për FIFA-n sa Maroku, një komb me pasion të vërtetë futbolli dhe një kulturë të gjallë tifozësh, ka bërë oferta për të pritur Botërorin. Kupa u refuzua në pesë raste.
Prandaj ishte afirmuese të shihje lojtarët dhe mbështetësit marokenë që festonin rrugën e tyre drejt një përfundimi historik në vend të katërt me lutje dhe brohoritje islamike, një kujtesë se futbolli u përket edhe atyre – thjesht jo si një vello për të maskuar një mashtrim gjeopolitik në Katar.
Imazhet e Lionel Messit që më në fund ngre Kupën e Botës në qiellin e shkretëtirës, vijat blu dhe të bardha të fanellës së tij të Argjentinës të errësuar nga bishti i zi i Emirit dhe Infantino në sfondin e disa fotografive, do të mbeten përgjithmonë për të na kujtuar se sa keq është abuzuar me futbollin.
Por ato imazhe do të na kujtojnë gjithashtu shkëlqimin e futbollit që i parapriu atyre, dhe se kjo lojë e bukur e jona, nuk do të vdesë kurrë./Deutsche Welle – Bota.al