UBT News

Kupa e Botës për klube do ta rivalizojë Ligën e Kampionëve, FIFA me ndryshime të mëdha

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino e bëri zyrtare sot formatin e ri të Kupës së Botës për klube, format ky që do të fillojë nga viti 2025 dhe do të përfshijë 32 skuadrat më të mira në gjithë botën.

Organi qeverisës i futbollit botëror për një kohë të gjatë ka pasur në plan për ta zgjeruar Kupën e Botës për klube për të krijuar një garë e cila do ta rivalizojë Ligën e Kampionëve.

Formati aktual i Kupës së Botës për klube përfshin vetëm shtatë ekipe, ku përfshihen fituesit e çdo trofeu të madh në kontinentet e ndryshme si dhe fituesi i Ligës së Kampionëve.

Chelsea është kampion aktual i kësaj gare, pasi që në muajin shkurt e mposhti skuadrën braziliane, Palmeiras.

“Ashtu edhe siç ju kujtohet, ne ramë dakord para disa vitesh që të kemi një format të ri të Kupës së Botës për klube me 24 skuadra. Kjo gjë duhej të fillonte në vitin 2021. Kjo ngjarje ishte pezulluar për shkak të Covidit”, tha Infantino.

“Kupa e Botës për klube e re do të fillojë nga viti 2025 dhe do të përfshijë 32 skuadra. Skuadrat më të mira në botë. Sigurisht, detajet e saj duhet ende të diskutohen, të vendosen dhe të miratohen. Por turneu me 32 skuadra do të filloj, duke e bërë të duket si një Kupë të Botës”, shtoi më tej presidenti i FIFA-s.

Po ashtu, Infantino e konfirmoi se gjysmëfinalisti i Kupës së Botës, Maroku është zgjedhur si nikoqir i edicionit të ardhshëm të Kupës së Botës për klube, dhe gjithashtu tha se do të ketë një edicion të ri të Kupës së Botës për klube të femrave, por nuk specifikoi ndonjë datë të caktuar.

Exit mobile version