Sindikatat kombëtare në Itali u mblodhën në Romë, duke demonstruar kundër lëvizjeve fashiste.
Ata i bëjnë thirrje qeverisë që të ndal aktivitetin e tyre, pas përleshjeve të dhunshme të regjistruara fundjavën e kaluar.
Mijëra njerëz marshuan nga lagjja Esquilino, në sheshin qendror të San Giovanni.
Sindikatat kryesore të Italisë i bënë thirrje qeverisë të shpërndajë grupet neo-fashiste dhe neo-naziste, slogani i tyre në tubim ishte “Jo fashizmit dhe dhunës, pro punës, sigurisë dhe të drejtave”. Sipas organizatorëve në proteste kishte deri në 60.000 pjesëmarrës.
Një javë më parë, mijëra njerëz dolën në rrugë për të kundërshtuar pasaportën COVID-19 për të gjithë punonjësit e sektorit publik e privat.
Disa grupe depërtuan mbi linjat e policisë për të mbërritur në zyrën e kryeministrit, të tjerë depërtuan në selinë e sindikatës më të madhe italiane.
Pas trazirave te 9 tetorit, Policia arrestoi 12 persona përfshirë drejtuesit e partisë së ekstremit të djathtë Forza Nuova.
Prej javësh shteti fqinj është përfshirë nga protestat ku mijëra qytetarë protestojnë vendimin e qeverisë për ta bërë të detyrueshme certifikatën covid edhe për të hyrë në punë.