UBT News

Kultura dhe tradita në Pogradeci rikthen varietetet autoktone të rrushit

Pogradeci po ringjall varietetet autoktone të rrushit si Muskat Kanell, Gëms dhe veçanërisht Serina e Bardhë, falë projektit Typic-al, i financuar nga Qeveria Italiane përmes Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS), dhe i zbatuar nga CIHEAM Bari në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, deklaroi se projekti nuk është i kufizuar vetëm në identifikimin dhe ruajtjen e varieteteve tradicionale të rrushit, por përfshin edhe financimin për blerjen e makinerive bujqësore moderne dhe pajisjeve teknologjike.

Kjo i mundëson fermerëve të punojnë me mjete më efikase dhe sipas standardeve europiane.

Projekti mbështeti krijimin e një strukture bashkëpunimi midis fermerëve përmes shoqërive bujqësore, duke ndihmuar në uljen e kostove të prodhimit, ndarjen e teknologjisë së avancuar, përfitimin nga trajnimet profesionale të ofruara nga ekspertët e CIHEAM Bari dhe MBZHR.

Përfitimet për komunitetin rural janë të dukshme: rritje e prodhimit të rrushit autokton, rikthim i kultivimit të varieteteve të rralla, akses më i mirë në treg, rritje e të ardhurave dhe krijim i mundësive të reja për punësim në sektorin bujqësor dhe atë të agro-përpunimit.

Ky projekt përfaqëson një shembull të bashkëpunimit të suksesshëm midis institucioneve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë. Bashkëpunimi me Italinë, CIHEAM Bari dhe Ministrinë e Bujqësisë riafirmon përkushtimin për të mbështetur fermerët e Pogradecit, për të ruajtur biodiversitetin dhe për të zhvilluar një bujqësi më të qëndrueshme dhe konkurruese.

Krijimi i SHBB Grabovicë dhe bashkimi i fermerëve konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve të prodhuesve lokalë.

Përfaqësuesit e projektit theksuan se vetëm përmes bashkëpunimit, fermerët mund të përfitojnë më shumë nga programet e BE-së dhe projektet e mbështetura nga qeveria shqiptare. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version