Kompania e lodrave, Mattel po lanson një koleksion të ri të kukullave “Barbie” nga plastika e oqeaneve.
Koleksioni i ri “Kukulla e do oqeanin”, vjen me tri kukulla. Kompania e lodrave po bashkohet me kompaninë e riciklimit të plastikës Envision Plastics, një riciklues i madh i produkteve HDPE dhe materiali do të merret nga zonat në gadishullin Baja të Meksikës, me qëllim që të ruhet vendi nga mbetjet plastike.
“Përpjekjet tona paraqesin një hap tjetër në misionin dhe evolucionin shoqëror të kukullës Barbie. Për t’ia dëshmuar gjeneratës së ardhshme se ata mund të arrijnë çdo gjë, ne duhet të kontribuojmë në mbrojtjen e planetit, duke zvogëluar ndikimin tonë negativ në ambient dhe duke promovuar sjellje të mira”, tha Lisa McKnight nga Mattel (MAT).
Secila kukull nga ky koleksion ka çmimin 10 dollarë, ndërsa seti me lodra të plazhit kushton 20 dollarë dhe disa lodra shtesë 10 dollarë.
Si pjesë e serive të vlog-ut të Barbie në YouTube, Mattel do të lansojë koleksionin e kukullave me një video të re të quajtur “Barbie ju tregon se si mund ta ruani planetin”.
Kompania 76-vjeçare e lodrave u zotua se do të përdorë 100% materiale plastike të ricikluara ose bio për prodhimin e produkteve të saj deri në vitin 2030./UBTNews