Kampionati Evropian i Xhudos “Prishtina 2023” po afron, ku kanë mbetur edhe 10 ditë deri te dita kur yje të shumtë të xhudos nga e gjithë bota do të zbarkojnë në Kosovë. E për Evropianin e xhudos “Prishtina 2023”, trajneri i ekipit kosovar, Driton Kuka tha se kjo është hera e parë që kemi një nivel kaq të lartë të një gare në vendin tonë.
“Evropiani Absolut po vjen në Kosovë! Në kryeqytetin tonë javën tjetër po zbarkojnë Elita e xhudos Botërore. Kampionati Evropian absolut deri 73 kg për meshkuj dhe deri 57 kg për femra mbahet më 16 dhjetor në Prishtinë! Hera parë të kemi nivel kaq të lartë në shtetin tonë”, shkroi Kuka në Facebook.
Më tej, Kuka bëri të ditur edhe që emra të njohur si Azeri Hajdarov (i pari i ranglistës botërore të xhudos), do të vijnë në Kosovë.
“I pari i Ranglistës Botërore Azeri Hajdarov, legjenda e xhudos Kampion Olimpik Shavdatuashvili, nënkampioni Olimpik Italiani Lombardo do vijnë në Kosovë e për ne garojnë Akil Gjakova dhe Dardan Cena që do jenë të motivuar si kurrë më parë! Kategoria e femrave deri 57 kg përveç dy Kampioneve tona Olimpike do marrin pjesë nga Elita Botërore edhe shumë medaliste Botërore e Evropiane!”, tha Kuka.
Më tej, trajneri i ekipit kosovar të xhudos tha se pret përkrahje nga tribunat për kampionët tonë.
“Pallati i Rinisë me datë 16 dhjetor do shoh yjet e sportit të xhudos! Presim përkrahje nga tribunat për Kampionët tonë! Foto nga përgatitjet finale për Evropianin Absolut!”, shkroi Kuka në Facebook.