Trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka ndarë një bilanc të vitit 2025 duke përmbyllur sezonin elitar me Grand Slam Abu Dhabi, ku thekson arritjet e xhudistëve tanë dhe progresin e ekipit gjatë gjithë vitit.
Distria Krasniqi përsëri u rikthye me medalje dhe, sipas Kukës, ky vit për të ishte fantastik.
“Distria sivjet çdo garë fitoi medalje, kulmoj në Evropian më të artën dhe titullin e nënkampiones Botërore, dhe kjo e vendosi në krye të Ranglistës Botërore”, tha ai.
Laura Fazliu po ashtu pas një viti sfidues me lëndime arriti të rikuperohej, duke fituar medalje në Botëror dhe duke u renditur e 5-ta në Abu Dhabi.
Shpat Zeka po rikthehet në garat ndërkombëtare dhe pritet të synojë normën Olimpike së bashku me Akilin dhe ndoshta Dardanin.
Kuka gjithashtu përmendi talentet e tjerë të rinj në rrugëtimin e tyre.
“Viti 2025 shënoi emra të rinj që u shquan me medalje e suksese dhe kjo flet shumë! Vazhdimësi e sukseseve janë emrat e Jonit e Arbes për kadet, që që nga garat e para në Kupat Evropiane arritën medalje e suksese premtuese”, shtoi Kuka.
Ekipi vazhdon stërvitjet intensive: vajzat në Slloveni dhe meshkujt pas disa ditësh në Gjeorgji, duke u përgatitur për sezonin e ardhshëm./S.K/KP/
