UBT News

Kuka i pakënaqur me draftin për kategorizimin e sporteve dhe sportistëve

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të hënën ka vendosur në konsultim publik Rregulloren për Kategorizimin e Sporteve dhe Rregullorja për Kategorizimin e Sportistëve dhe Trajnerëve.

Me këtë rregullore përcaktohen rregullat, kriteret dhe procedura për kategorizimin e sporteve në Republikën e Kosovës. Kjo rregullore përcakton poentimin e federatave sportive bazuar në masovitetin, cilësinë, statusin, aktivitetin dhe ngritjen e kapaciteteve. Financimi i federatave sportive do të bëhet duke u bazuar në kategorizimin e sporteve, përcjellë KosovaPress.

Vërejtjen e parë publikisht për këtë draft e ka dhënë trajneri i xhudos, Driton Kuka, i cili ka dhënë vërejtje për mënyrën se si është paraparë kategorizimi i sportistëve që fitojnë medalje elitare.

“Me draftin e ri për kategorizim të sportistëve e trajnerëve merr medalje në Botëror ose Evropian e kategorizohesh një vjet ose dy! Mirë që është draft e do i bëjmë vërejtjet tona. Sot për sot medalja Botërore kategorizohesh 3 vjet, e Evropiane 2 vjet. Kroacia e shtetet e rajonit e kanë 4 vjet, ndërsa kanë qindra medalje Elitare. Sportistët e trajnerët meritojnë të avancohen e jo ndryshe”, ka shkruar Kuka në Facebook.

Kuka ka bërë të ditur se ata po zhvillojnë stërvitje në Golem me afro 100 garues nga më se 15 shtete.

Exit mobile version