Të shtunën në “Alfredo Di Stefano” luhet një nga sfidat më të zjarrta të futbollit europian dhe jo vetëm, pikërisht dueli mes Real Madridit dhe Barcelonës që papritur ka marrë një rëndësi të jashtëzakonshme pasi gafat e njëpasnjëshme të Atletico Madridit i kanë dhënë mundësi blaugranave, por edhe skuadrës së Zidane të afrohen ndjeshëm në renditje.
9 javët e fundit të sezonit do të jenë të zjarrta për titullin në Spanjë. 1 pikë është diferenca e Barcelonës me Atleticon e Madridit ndërkohë që 3 pikë është ajo mes Los Colchoneros dhe Los Blancos.
Përpara këtij dueli ka folur një nga futbollistët me më shumë eksperiencë dhe që ka luajtur mbi 30 El Clasico në karrierë, pikërisht Karim Benzema.
Francezi pas largimit të Ronaldos ka marrë rolin e liderit në sulmin e Realit dhe që Los Blancos kanë ecur me ritëm të kënaqshëm në 3 sezonet e fundit meritat shkojnë edhe për të.
“Është ndeshja më e bukur në botë”, deklaroi 33-vjeçari francez në një intervistë për mediat spanjolle për “El Clasicon”.
“Barcelonës i pëlqen të luajë me topin dhe mbi të gjitha ata kanë një portier të shkëlqyer (Ter Stegen), që di të luajë edhe me këmbë”.
“Messi? Ai bën gjithçka në fushë dhe duhet të kemi shumë kujdes me të, sepse e dimë që është shumë i rrezikshëm. Duhet të luajmë si ndeshjen e fazës së parë, për ta mposhtur Barçën”.
Reali e fitoi sfidën e parë këtë sezon 3-1 në “Camp Nou”.
Benzema është në një formë shumë të mirë këtë sezon dhe të gjithë sytë i kanë te ai, derisa së fundmi edhe Vinicius Junior ka dhënë sinjale se mund të kontribuojë shumë për Los Blancos, pas dy golave kundër Liverpoolit.
Benzema deri më tani numëron 24 gola në 34 paraqitje në të gjitha garat.