UBT News

Kuçi: Për të ikur vëmendjen nga trazirat në Serbi, Vuçiq bën veprime agresive kundrejt Kosovës 

Protestuesit në Serbi me revoltën e tyre kanë shprehur tendencën që kjo protestë të kalojë në luftë civile, nëse qeveria nuk realizon kërkesat e tyre. Kështu thotë hulumtuesi në Institutin për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Gurakuç Kuçi.

Ai thekson se rrahjet dhe incidentet e vazhdueshme ndaj protestuesve po ndodhin me urdhrin e presidentit serb Aleksander Vuçiq dhe i quan manipulime deklaratat e Vuçiqit, përmes së cilave ai akuzon Perëndimin se po ndihmojnë financiarisht protestuesit në Serbi.

“Atje (Serbi) protestuesit me revoltën që e kanë bërë ditëve të fundit kanë shprehur që mund të ketë tendenca të dukshme që nëse qeveria nuk merr masat e duhura për të realizuar kërkesat e tyre, atëherë mund të eskalojë edhe në një luftë civile. Por, akoma nuk mund të themi që Serbia është në luftë civile pasi nuk kemi protestues të armatosur, të cilët kanë armët e tyre e po ashtu kanë edhe një në thonjëza ‘regjiment sulmues’ dhe po ashtu nuk kemi edhe një qeveri e cila ka filluar të jetë në anarki të plotë në Serbi”, thotë Kuçi.

Kuçi potencon se presidenti serb po i përdor këto interesa për të ushtruar presion ndaj BE-së dhe Perëndimit, duke akuzuar këto vende për financim dhe mbështetje të protestuesve, gjë që, sipas tij, përbën manipulim dhe rrezik për përçarje.

Mbi thë gjitha ai thekson se për të larguar vëmendjen nga trazirat që po ndodhin në Serbi, presidenti Vuçiq vepron kundrejt Kosovës apo bën veprime agresive ndaj shteteve përreth saj.

Këtu, Kuçi përmend arrestimet e njëpasnjëshme kohëve të fundit të kosovarëve nga autoritetet serbe.

“E kemi parë që gjithmonë kur Vuçiqi ka një problem me çështje të brendshme, atëherë i sulen çështjes së Kosovës, vepron kundrejt Kosovës apo bën veprime agresive ndaj shteteve përreth saj. Edhe në rastet e më hershme Vuçiqi dhe BIA serbe në koordinim vepruan kundrejt Kosovës duke i arrestuar disa njerëz për shkak të çështjeve të hakmarrjes për shkak se u zbulua një rrjet i inteligjencës së Serbisë dhe tani po ashtu kur filluan të ndodhnin protestat në Serbi ai mori veprime të ngjashme. Ata dëshirojnë vazhdimisht ta mbajnë fokusin jashtë protestave në Serbi që po ndodhin atje dhe po ashtu ta ngrisin çështjen e problemit të Kosovës sa më lartë”, thotë Kuçi.

Ndërkaq, kujtojmë se protestat në Serbi kanë nisur në nëntor të vitit 2024 dhe janë shtrirë veçanërisht në Beograd dhe qytete të tjera kryesore.

Ato organizohen kryesisht nga studentë dhe qytetarë të pakënaqur me qeverisjen aktuale, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, llogaridhënie për korrupsion dhe tragjedi të ndryshme, si dhe reforma në sistemin politik.

 

 

Exit mobile version