Ulis Hamiti, student i vitit të dytë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT
Me përfundimin e një sezoni tjetër në BKT Superligën e Kosovës shënohet edhe një kampionat i kompletuar, në të cilin skuadrat të cilat morën pjesë përjetuan emocione të përziera. Por edhe pas festës së shumë skuadrave, pyetja kryesore vazhdon të jetë se si do të performojnë ekipet e Kosovës në fazën kualifikuese në garat evropiane. Këtu flitet për tri kompeticionet kryesore: UEFA Champions League, UEFA Europa League dhe kompeticioni i ri i themeluar dhe implementuar në këtë sezon që përfundoi, UEFA Conference League.
Katër skuadrat e Kosovës që do të jenë në garat kualifikuese për këta tre turne janë: Ballkani që e fitoi titullin e kampionit këtë sezon, Drita që përfundoi në vendin e dytë, Gjilani në pozitën e tretë dhe Llapi fitues i Kupës së Kosovës. Pritshmëritë janë të larta për të gjithë, sidomos për ata që e kanë trajtuar kategorinë më të lartë të Kosovës gjatë këtij sezoni. Është viti i parë që nga Kosova do të garojnë katër skuadra në gara evropiane.
Arbon Flugaj, gazetar i njohur i sportit në Kosovë, jep mendimin e tij se si do të zhvillohen ndeshjet kualifikuese.
“Ballkani me kalimin e një raundi në Champions League, edhe në rast eleminimi pastaj do të siguronte të paktën “Play Off” në Conference League dhe mendoj se nëse përforcohet me dy lojtarë kualitativ nga jashtë, në pozitën e qendër sulmuesit dhe mesfushorit mbrojtës, atëherë do kenë paraqitje të mirë. Këtë sezon si mundësi e mirë që të paktën t’i mbushin arkat e klubit nëse vetëm nuk arrin inkuadrimin në Conference League”, filloi Flugaj.
Ndërkohë për tri skuadrat e tjera pjesëmarrëse, ai është më i mprehtë në opinionet e tij.
“Prej Dritës pres paraqitje solide dhe kalimin e të paktën 2-3 raundeve kualifikuese në Conference League, në rast se iu prin fati në short. Nga ana tjetër, Llapi i Tahir Batatinës, do të ketë shumë presion për të kaluar raundin e parë, pasi vitin e kaluar dështuan totalisht ndaj Shkupit. Shpresoj ta kem gabim, mirëpo aktualisht mendoj se Llapi do të performojë më së dobti prej klubeve tona. Për Gjilanin është e vështirë të thuhet diçka para se të mësojmë se kush do të jetë trajner i skuadrës dhe cilat do të jenë planet e tij në afatin kalimtar verorë, në bazë të informacioneve që kam nga brenda klubit pritet të ketë prurje të mëdha por nuk e di se a do mjaftoj koha që skuadra të formohet”, potencoi Flugaj.
Padyshim një faktor i cili do t’i ndihmojë skuadrat e Kosovës do të jetë prania fizike e tifozëve. Përgjatë dy viteve të fundit ka pasur momente të turbullta sa i përket lejimit të tifozëve në fushë, për shkak të pandemisë së koronavirusit, por që me konfirmimin dhe lejen për tifozët që të jenë të pranishëm fizikisht në stadium, futbolli në Kosovë po rikthehet në normalitet. Flugaj gjithashtu bën krahasimin e vijueshmërisë gjatë sezonit të kaluar dhe qëllimeve aktuale.
“Sa i përket shikueshmërisë përmes televizionit, ajo definitivisht është rritur për shkak se deri pak para disa muajve stadiumet kanë qenë të mbyllura për shikues, ose janë lejuar një përqindje e vogël e tyre“, tha Flugaj.
Në fund ai shprehet mjaft optimist për sezonin e ardhshëm, por njëkohësisht ndalet dhe trajton temën e rikthimit të shikuesve gjatë pjesës së dytë të këtij kampionati që lamë pas.
“Duke parë ritmin e zhvillimit të futbollit tonë dhe transferimeve të cilat pritet të ndodhin, pres që edicioni i ardhshëm të jetë super i shikuar dhe ndoshta më i miri ndonjëherë. Sigurisht që pas pandemisë shikuesit janë vërshuar drejt stadiumeve, pavarësisht kësaj, pjesa e dytë e kampionatit stagnoi pak në këtë aspekt, ndoshta edhe pse skuadrat kishin dalë nga objektivat sezonale”, përmbylli Flugaj.
Përveç Flugaj, edhe gazetari i njohur i sportit në Kosovë, Faton Polisi, u përgjigj në pyetjet se si mendon se katër skuadrat kryesore do të performojnë në garat evropiane. Ai shprehet optimist duke thënë se pjesëmarrja në raundet kualifikuese, për garat evropiane do ta ndihmojë shumë BKT Superligën e Kosovës në shumë aspekte të ndryshme.
“Pjesëmarrja e skuadrave, një në kualifikimet e Champions League, dhe tri në Conference League e ka bërë interesante BKT Superligën e Kosovës. Pjesëmarrja në garat evropiane është motiv më i madh për shumë lojtarë të futbollit të Kosovës, për shkak se synimi i tyre është që me paraqitje të mirë të bindin edhe menaxherë të ndryshëm të shprehin interesimin për t’ua mundësuar kalimin në ndonjë klub të Evropës. Jo vetëm lojtarët, por edhe klubet janë përfituese nga paraqitja në garat evropiane në nivel klubesh”, filloi Polisi.
Megjithatë ai nuk e fsheh faktin se skuadrat e Kosovës ende duhet të punojnë shumë për të arritur fazën e grupeve në garat evropiane.
“Përvoja në garat evropiane nuk mungon. Nuk ka munguar ngritja e tyre, por ende mendoj se klubet e Kosovës janë larg të arrijnë të paraqiten në fazën e grupeve të garave të organizuara nga Uefa. Ballkani është pa përvojë në arenën ndërkombëtare, Drita tashmë ka krijuar një përvojë dhe së fundi kishte një paraqitje të mirë, në veçanti ndaj finalistit të ligës së Evropës, Feyenoordit, skuadër e cila me vështirësi e eleminoi Dritën. Edhe Gjilani ka përvojën, por mendoj se do të penalizohet me ndryshimet që ka bërë së fundi në stafin teknik dhe atë organizativ të klubit. Ndërsa Llapi dështoi sezonin e kaluar, por mendoj se do të jetë më i mobilizuar sezonin e ardhshëm”, tha Polisi
Gazetari i njohur i sportit shtoi se fati do të luajë rolin kryesor në performancat e këtyre skuadrave. Ai gjithashtu tregoi se çfarë do të thotë mungesa e pjesëmarrjes së Prishtinës në kualifikimin për garat evropiane për futbollin kosovar.
“Rrugëtimi i këtyre garave kualifikuese evropiane, Ligën e Kampionëve, Ligën e Konferencës do të varet nga shorti që do ta kenë. Për imazhin e futbollit të Kosovës është humbje e madhe që Prishtina nuk do të paraqitet në garat e Evropës”, qartësoi Polisi.
Në fund ai e trajtoi çështjen e shikueshmërisë së BKT Superligës së Kosovës gjatë dy viteve të fundit, në të cilat pandemia ka pasur një rol të madh në mënyrën se si ka ndryshuar pikëpamja e përgjithshme. Ndryshe nga Flugaj ai është kritik ndaj mënyrës se si është trajtuar rikthimi i shikuesve në stadium, por gjithashtu jep mendimin e tij rreth kësaj dhe se çfarë mund të bëhet për të vazhduar përpara.
“Nuk mund të bëhet krahasimi me dy sezonet e kaluara, në të cilat numri i shikueshmërisë për shkak të koronavirusit ka qenë i kufizuar. Por ajo që mund të them është se numri i shikuesve në tribuna nuk ka qenë i kënaqshëm as sezonin që përfundoi pak ditë më parë. Klubet duhet të punojnë më shumë me shikuesit, është pozitive që ka pasur rënie të përleshjeve në mes shikuesve. Ka pasur një rritje të lehtë të pranisë së shikuesve, por jo në një nivel të kënaqshëm. Përfitimet e klubeve nuk janë të mëdha nga shitja e biletave, madje nuk mund t’i mbulojnë as shpenzimet që bëhen për ujë gjatë një jave“, përmbylli Polisi.
Me gjithë supozimet dhe probabilitetet e mundshme sa i përket kualifikimit evropian, është e rëndësishme të përmendet se me suksesin e Ballkanit këtë sezon, BKT Superliga e Kosovës numëron 10 skuadra të ndryshme të cilat e kanë fituar kampionatin gjatë shekullit 21, shifër kjo e cila barazon rekordin e Suedisë, që po ashtu i ka parë dhe përgëzuar 10 skuadra, të cilat janë shpallur kampione të ligës së tyre gjatë këtij shekulli./UBTNews/