Kosova ka udhëtuar sot drejt Batumit, ku të enjten do të përballet me Gjeorgjinë në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2022.
Kombëtarja e Kosovës u mblodh të hënën në Prishtinë, ku i nisi përgatitjet për tri ndeshjet e shtatorit me dy stërvitje në Stadiumin Fadil Vokrri, para se të nisej drejt Gjeorgjisë mëngjesin e sotëm.
Në Batumi, dardanët do ta zhvillojnë stërvitjen e fundit para përballjes të së enjtes, ku do të kenë mundësinë të ambientohen me fushën e stadiumit “Batumi Arena”, i cili do të inaugurohet pikërisht këtë mesjavë.
Me ekipin nuk ka udhëtuar Milot Rashica, ylli i Norwich City i cili nuk u lejua nga klubi i Premierligës për shkak se Gjeorgjia është në listën e Britanisë së Madhe për vendet me rrezikshmëri të lartë të virusit Covid-19.
Ai do të jetë në dispozicion për dy ndeshjet e tjera në Prishtinë, kundër Greqisë dhe Spanjës.
Kosova është ende në kërkim të fitores së parë në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës në historinë e saj.
Kjo është hera e dytë që kombëtarja verdhekaltër merr pjesë në kualifikimet e Botërorit dhe ato i nisi keq përsëri, pasi i humbi të dy ndeshjet e para në Grupin B, kundër Spanjës dhe ndaj Suedisë.
Pas përballjes me Gjeorgjinë më 2 shtator në udhëtim, verdhekaltrit do të rikthen në Prishtinë për dy ndeshjet e vështira ndaj Greqisë më 5 shtator dhe ndaj Spanjës më 8 shtator.
Grupit i prin Spanja me 7 pikë, e ndjekur nga Suedia me 6, derisa Kosova ngel e fundit pa pikë.