Duket e pabesueshme, por Maks Verstapen po kërkon fitoren e tij të parë në Çmimin e Madh të Singaporit në Formula 1. Piloti holandez i Red Bullit mbërrin këtë fundjavë në “Marina Bay” në një moment të vështirë, pasi ka kaluar shtatë gara pa triumf në F1.
Megjithatë, edhe pse nuk arrin të ngjitet në shkallën më të lartë të podiumit prej kohësh, Verstapen vazhdon të mbajë vendin e parë në renditjen e kampionatit, me një avantazh prej 59 pikësh mbi Lando Norrisin e MekLarenit. Me shtatë gara të mbetura deri në përfundimin e kampionatit, holandezi ka si objektiv të lërë pas këtë periudhë negative.
Verstapen vjen në Singapor i motivuar, duke kërkuar të hedhë një hap të rëndësishëm drejt titullit të katërt radhazi në Formula 1. “Kemi mësuar nga gabimet e javës së kaluar në Baku dhe mund të provojmë disa gjëra në mënyrë të ndryshme këtë fundjavë në Singapor. ‘Marina Bay’ është një cirkuit fantastik, por presim që të jetë me sfida, ashtu siç ka qenë gjithnjë. Na pret një garë si zakonisht e fortë, në një vend të nxehtë dhe me lagështi,” shprehet Verstapen.
Me tensionin e garës në ajër dhe objektivat të qarta, tifozët presin me padurim të shohin nëse Verstapen do të arrijë të kthehet në rrugën e fitores këtë fundjavë./UBTNews/