UBT News

Kthehet në Kosovë ish-ushtari i UÇK-së që po mbahej në Serbi

Pas disa muajsh qëndrimi në burgjet e Serbisë, sot është liruar dhe është kthyer në Kosovë ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mit’hat Llozhani. Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij, Arianit Koci, i cili e ka shoqëruar Llozhanin sapo ai ka kaluar kufirin.

Avokati Koci e ka cilësuar këtë si një mision të vështirë dhe të rëndë, duke treguar se i është dashur të udhëtojë disa herë drejt Beogradit për të ndjekur rastin. “A kam pasë probleme dhe rrezik? Nuk është me rëndësi. Me rëndësi është që një qytetar i Kosovës u kthye në shtëpi,” ka deklaruar Koci, duke shtuar se këtë shërbim e ka kryer pa pagesë dhe për ideale kombëtare.

Sipas Kocit, Llozhani ka kaluar nëpër një periudhë jo të lehtë gjatë kohës së burgosjes.

Ai ka paralajmëruar se informata më të detajuara rreth rrethanave të arrestimit dhe mbajtjes në Serbi do të jepen në ditët në vijim, së bashku me vetë Mit’hat Llozhanit.

Exit mobile version