Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka uruar shqiptarët me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke theksuar rëndësinë historike dhe shpirtërore të kësaj dite për kombin tonë.
“22 Nëntori është dita që na kujton forcën e bashkimit dhe vizionin e rilindësve tanë për një të ardhme më të ndritur,” ka shkruar Sinani në postimin e saj, duke kujtuar vendimin historik të Kongresit të Manastirit në vitin 1908, kur figura të shquara të kombit u bashkuan për të zyrtarizuar alfabetin e gjuhës shqipe.
Sinani e cilësoi këtë ngjarje si një akt guximi dhe dashurie për kombin, duke theksuar se rruga e nisur nga rilindësit vazhdon sot përmes punës për të forcuar identitetin kombëtar dhe për të siguruar që asnjë shqiptar të mos ndihet i harruar.
“Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të kujtojmë frymën e bashkimit dhe të përbashkëtës që na udhëhoqi atëherë. Kjo është dita kur kujtojmë se kombi ynë, i ndarë nga kufijtë, ka vetëm një alfabet, një gjuhë dhe një shpirt që na bashkon!”
Kryetarja e Preshevës ka apeluar për vazhdimin e punës drejt një të ardhmeje ku të gjithë shqiptarët të jenë të barabartë dhe krenarë për trashëgiminë e tyre./UBTNews/