Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka publikuar të martën propozimin e tij për faljen e tatimit në pronë për vitin 2023.
Kryetari Rama ka propozuar që çdo ndryshim i vlerës së tatimit në pronë nga viti 2022 në vitin 2023, prej 0 deri në 100 euro të falet.
“Pra, nëse një pronë ka pasur tatimin 50 euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 është kalkuluar ta ketë 70 euro, atëherë falja do të jetë 20 euro”, thuhet në propozimin e tij.
Sipas tij, nëse një pronë ka pasur tatimin 120 euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 është kalkuluar ta ketë 300 euro, atëherë falja do të jetë 100 euro.
“Ky propozim do t’u ndihmojë të gjithë qytetarëve të Prishtinës, dhe nuk do të dëmtojë qëndrueshmërinë buxhetore të Kryeqytetit. Njëherësh, nuk do të cenojë mundësinë e zhvillimit dhe transformimit të mirëfilltë të Kryeqytetit për të mirën e të gjithëve, prandaj lus secilin asamblist, pa dallim, që në seancën e radhës të votojë PËR”, ka shkruar Rama.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se më 7 dhjetor (e enjte) në orën15:00, Kuvendi Komunal do të mbajë seancë të jashtëzakonshme, me të vetmën pikë të rendit të ditës, “Propozim-vendimi për faljen e tatimit në pronë për pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023”.