Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në “Odën e Kryeqytetit” Vasfije Krasniqin, të mbijetuarën e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e cila është bërë zëri i shumë grave që kanë përjetuar të njëjtën dhimbje.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama u shpreh se prania e saj është kujtesë e gjallë se pa zbardhjen e të vërtetës dhe pa drejtësi, plagët e luftës nuk mund të shërohen.
“Mirëprita në Odën e Kryeqytetit Vasfije Krasniqin, një grua që është bërë simbol i forcës dhe guximit. Si një nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, ajo ka ngritur zërin për shumë të tjera që ende presin drejtësi. Prezenca e saj na rikujton se plagët e luftës nuk shërohen pa të vërtetën dhe pa drejtësinë,” shkroi Rama.
Ai theksoi se historia dhe qëndresa e Vasfijes janë frymëzim për të mos harruar të kaluarën, por edhe për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë.
“Me historinë dhe qëndresën e saj, Vasfije na fton të mos harrojmë, por të kujtojmë, jo vetëm për të kaluarën, por për të ardhmen që ndërtojmë bashkë. Drejtësia dhe njohja e këtyre krimeve janë detyrë e përhershme e njerëzimit,” përfundoi Rama.