UBT News

Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, takoi zëvendëspërfaqësuesin e OKB-së, Milbert Domgjon Shin

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, i shoqëruar nga anëtarët e Këshillit, ka pritut sot në takim Zëvendëspërfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Milbert Domgjon Shin, bashkë me përfaqësues të tjerë të Zyrës së UNMIK-ut.

Përgjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në sistemin prokurorial, forcimin e sundimit të ligjit, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me partnerët ndërkombëtarë.

Gjatë bashkëbisedimit, Kryesuesi Gashi e njoftoi delegacionin e UNMIK-ut me përbërjen e re të Këshillit Prokurorial, si dhe me përfundimin e procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit, duke nënvizuar rëndësinë e funksionalizimit të plotë të institucioneve të drejtësisë.

Përveç kësaj, Gashi theksoi përkushtimin e KPK-së për garantimin e një sistemi gjithëpërfshirës përmes përfaqësimit të drejtë të të gjitha komuniteteve, me ç’rast bëri të ditur se së shpejti do të shpallet konkursi për pranimin e prokurorëve të rinj.

Kryesuesi i KPK-së shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të UNMIK-ut ndër vite dhe ritheksoi se institucioni që ai drejton do të vazhdojë punën për fuqizimin e sundimit të ligjit përmes profesionalizmit, integritetit dhe llogaridhënies.

Nga ana e tij, Zëvendëspërfaqësuesi Special i OKB-së, Milbert Domgjon Shin, vlerësoi punën e Këshillit Prokurorial dhe rolin e tij në garantimin e një sistemi të pavarur e efikas. Ai shprehu besimin se përmes përgjegjësisë institucionale do të vazhdohet me hapat që forcojnë besimin e qytetarëve te drejtësia.

Në përmbyllje të takimit, përfaqësuesit e UNMIK-ut konfirmuan gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen ndaj KPK-së në avancimin e reformave dhe fuqizimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit në Kosovë. /E.A/

Exit mobile version