UBT News

Kryeqyteti nis procedurat për themelimin e ndërmarrjes së re të “Pastrimit”

Komuna e Prishtinës ka marrë vendim të nisë procedurat për themelimin e ndërmarrjes së re të pastrimit, me kapacitete të dedikuara vetëm për Prishtinën, raporton Ekonomia Online.

Vendimi u prezantua sot nga Kryetari Përparim Rama, në një konferencë për media së bashku me nënkryetarët Besianë Musmurati dhe Florian Dushi, të cilët paraqitën dokumentet, kronologjinë dhe hapat institucionalë të ndërmarrë për realizimin e projektit.

Kryetari Rama theksoi se marrëveshja ka mbetur e bllokuar për shkak të mosnënshkrimit nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, ndërsa pasojat po i bartin Prishtina dhe qytetarët e saj.

“Qeveria e ka bllokuar Komunën dhe, si rrjedhojë, po i ndëshkon qytetarët. Prishtina nuk mund të presë pafundësisht një nënshkrim nga Hekuran Murati. Nëse Qeveria ka zgjedhur ta bllokojë financimin, ne kemi zgjedhur ta krijojmë zgjidhjen. Do ta themelojmë ndërmarrjen e re të pastrimit të Kryeqytetit”, deklaroi Rama.

Nënkryetarja Besianë Musmurati prezantoi dëshmitë që tregojnë se projekti me KfË-në kishte kaluar të gjitha fazat e nevojshme të negocimit dhe miratimit. Faza e parë prej 24.1 milionë eurosh parashihte rreth 100 kamionë të rinj, 10 mijë kontejnerë për ndarjen e mbeturinave dhe platforma për vendosjen e tyre. Faza e dytë prej 50 milionë eurosh përfshinte kapacitete shtesë dhe qendra për kompostim dhe riciklim.

Më 26 shtator 2024, KfË-ja ia kishte dërguar Ministrisë së Financave draftet e marrëveshjeve për grantin prej 4.1 milionë eurosh dhe kredinë e butë prej 20 milionë eurosh. Megjithatë, marrëveshja nuk u nënshkrua. Pa përgjigje mbeti edhe letra e përbashkët e Kryeqytetit dhe KfË-së, e dërguar më 15 maj 2026.

“Për shkak të këtij bllokimi, Prishtina sot nuk i ka 100 kamionët shtesë, 10 mijë kontejnerët dhe sistemin afatgjatë të riciklimit të paraparë me standarde gjermane. Përgjegjësia për mosrealizimin e projektit është e Ministrit Hekuran Murati”, deklaroi Musmurati.

Nënkryetari Florian Dushi bëri të ditur se Ligji për Kryeqytetin ia mundëson Prishtinës themelimin e ndërmarrjes së re pa pëlqimin e Qeverisë. Aktualisht po përgatiten plani i biznesit dhe analiza financiare, pas së cilave propozimi do t’i paraqitet Kuvendit të Kryeqytetit.

Kryetari Rama siguroi punëtorët aktualë të Kompanisë Rajonale “Pastrimi” se askush nuk do të mbetet pa punë.

Ata do të sistemohen, do të jenë pjesë e zgjidhjes dhe do të përfshihen në sistemin e ri që po ndërton Kryeqyteti.

Sipas tij, Prishtina nuk do të mbetet peng i bllokimeve. Kryeqyteti do të ndërtojë kapacitetet e veta dhe një sistem funksional, efikas e të qëndrueshëm, me vetëm një përgjegjësi: pastrimin e Prishtinës./EO/

 

Exit mobile version