Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka kërkuar raport të detajuar me shkrim lidhur me të gjitha veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës, ku i dyshuar kryesor është kunati i saj.
Përmes një komunikate për media, Kryeprokurori i Shtetit njoftoi se rastit do t’i jepet trajtim me urgjencë dhe seriozitet maksimal, duke autorizuar koordinatorin nacional për rastet e dhunës në familje që të analizojë çdo procedurë të ndërmarrë më parë.
Në kuadër të këtij autorizimi, nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, është kërkuar një raport i hollësishëm që përfshin:
- Kronologjinë e plotë të trajtimit të rasteve të së ndjerës, identitetin e personave të raportuar dhe cilësimin juridik të veprave.
- Të dhënat për prokurorët kujdestarë e ngarkues, veprimet procedurale dhe kohën e ndërmarrjes së tyre, si dhe vendimet e nxjerra bashkë me arsyetimet përkatëse.
- Vlerësimin e rrezikut, masat e marra për mbrojtjen e viktimës dhe komunikimin ndërinstitucional me Policinë e Kosovës.
- Trajtimin e veçantë të shkresës paralajmëruese të dërguar nga e ndjera më 22 tetor 2026.
Përveç kësaj, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) të nisë veprimet hetimore dhe verifikuese mbi mënyrën se si Policia e Kosovës i ka trajtuar raportimet e mëparshme të viktimës.
Në njoftim theksohet se nëse do të konstatohen shkelje ligjore, neglizhencë apo dështim në përmbushjen e detyrave zyrtare, do të ndërmerren masa të rrepta ligjore pa asnjë tolerim, si në nivel individual ashtu edhe institucional. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ritheksoi se çdo pretendim për mosveprim do të shqyrtohet në mënyrë të plotë, objektive dhe profesionale për sqarimin e të gjitha rrethanave.
