UBT News

Kryeparlamentari Basha priti në takim ambasadorin e Malit të Zi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka pritur në takim Ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj.

Në këtë takim Basha dhe Çobaj diskutuan për fuqizimin e lidhjeve parlamentare mes Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Malit të Zi, si dhe për rritjen e bashkëpunimit në fusha kyçe, si aspektet politike, ekonomike dhe ato të sigurisë në rajon.

Kryetari i Kuvendit theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut dhe përpjekjeve të përbashkëta në proceset integruese evropiane si dhe nevojën për mbështetje nga Mali i Zi në përballimin e sfidave që Kosova ka përballë qasjes së Serbisë, duke kërkuar qëndrime të përbashkëta dhe të palëkundura në mbrojtje të stabilitetit dhe sigurisë rajonale.

Basha e falënderoi ambasadorin e Malit të Zi për bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu përkushtimin e tij që marrëdhëniet mes dy parlamenteve të thellohen edhe më shumë në të ardhmen, në dobi të paqes, progresit dhe mirëqenies së qytetarëve në të dy anët e kufirit./S.K/KP/

Exit mobile version