Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, ka kërkuar falje për vizitën e një klubi nate pasi ra në kontakt me COVID-19.
Marin u kritikua për natën e saj gjatë fundjavës pasi e dinte se një ministër tjetër i qeverisë kishte rezultuar pozitiv me virusin.
Finlanda nuk kërkon që qytetarët e vaksinuar plotësisht të izolohen nëse bien në kontakt me një test pozitiv, por këshillon qytetarët të shmangin kontaktet sociale dhe të bëjnë një test.
36-vjeçarja, e cila ka marrë dy doza të vaksines antiCOVID, fillimisht mbrojti veprimet e saj, duke thënë se ajo kishte ndjekur këshillat e sekretarit të shtetit.
Por në një postim në Facebook, ajo kërkoi falje për gabimin e saj.
“Duhet të kisha përdorur një vlerësim më të mirë të shtunën mbrëma dhe të kontrolloja udhëzimet që kisha marrë për herë të dytë”, tha Marin, duke shtuar se në telefonin e saj zyrtar të punës i ishin dërguar këshilla të ndryshme.
“Se nuk e kuptova që nuk ishte mënyra [e duhur] për të vepruar, më vjen shumë keq”, tha ajo. Marin që atëherë ka rezultuar negativ për COVID-19.
Ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, kishte rezultuar pozitiv me COVID-19 vetëm një ditë pasi ishte në kontakt me Marin.
Kritikët thonë se Marin duhej t’i jepte shembull Finlandës dhe të largohej vullnetarisht nga lokali./UBTNews/