Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha ka thënë se gjatë përgatitjes së deklaratës së Brdos, Sllovenia ka synuar të theksojë një afat kohor për zgjerimin, por ka shtuar se një gjë e tillë nuk është arritur.
Ai ka thënë se për të arritur perspektiven evropiane, vendet duhet të zgjidhin çështjet e hapura që kanë mes vete.
“Nuk është sekret që gjatë përgatitjes së deklaratës së Brdos Sllovenia deshi të theksojë, të cek një afat kohor për zgjerimin, ky orar nuk është pjesë e deklaratës por kemi pasur një diskutim të gjerë lidhur me të, të inkuadrimit të shteteve të reja, dhe shumica e shteteve të BE-së kanë shprehur gatishmërinë e tyre, vullnetin e tyre, se në dekadën e ardhshme do të fokusohemi në këtë perspektivë evropiane për regjionin”, ka thënë kryeministri slloven.
Në një konferencë për media, kryeministri slloven ka thënë se është e rëndësishme që në vazhdimësi të theksohet procesi i zgjerimit.
“Pas debatit një gjë është e qartë, nëse duam që kjo perspektivë evropiane të materializohet dhe nëse duam që ajo të jetë e prekshme, e qartë për qytetarët, dhe nëse duam që të jetë si stimulim për reforma, atëherë tri procese gjatë dekadës në vijim duhet të shkojnë krah për krah me njëra tjetrën. E para, institucionet evropiane duhet të zbatojnë disa procese në mënyrë që ato të jenë efikase, nëse ndodh zgjerimi, disa çështje të hapura duhet të zgjidhen për shembull mes Serbisë dhe Kosovës, dhe Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por procesi i negocimit duhet të vazhdojë, ne mendojmë se negocimet jo vetëm që lejojnë diçka të tillë por përbëjnë edhe zgjidhje më të lehtë të këtyre marrëdhënieve bilaterale. Nëse kemi një proces negocimi kjo bëhet më e lehtë sesa nëse vetëm kemi zgjidhje të çështjeve në mënyrë bilaterale, siç janë çështjet e targave apo pikave të ndryshme të marrëveshjeve. Korniza e zgjerimit duhet të jetë mbi këtë, dhe brenda saj duhet të zgjidhen çështje të ndryshme dhe nëse nuk veprojmë kështu atëherë çdo moment do të përballemi me çështje të reja dhe çdo zgjidhje do të jetë zgjidhje e përkohshme”, ka shtuar kryeministri i Sllovenisë.
Samiti në Brdo, në të cilin po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, organizohet nga presidenca sllovene e Bashkimit Evropian.