Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot drejt Brukselit për të marrë pjesë në Samitin Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor, njoftoi Zyra e Kryeministrit.
Në këtë takim të nivelit të lartë do të mblidhen liderët e shteteve anëtare të BE-së dhe përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor — Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Samiti synon të avancojë dialogun politik, perspektivën evropiane të rajonit dhe hapat konkretë drejt integrimit në institucionet e BE-së, ndërsa nga Serbia është konfirmuar mungesa e kryetarit të Kuvendit, Aleksandër Çupiq.
Punimet e samitit do të drejtohen nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në rendin e ditës janë procesi i zgjerimit, reformat politike, ekonomike e institucionale, sundimi i ligjit, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si dhe çështjet e sigurisë, mbrojtjes dhe qëndrueshmërisë përballë sfidave gjeopolitike. Një vend të rëndësishëm në diskutime do të zërë integrimi gradual në tregun e përbashkët evropian dhe zbatimi i Planit të Rritjes prej gjashtë miliardë eurosh, të prezantuar nga Komisioni Evropian në vitin 2023.
Sipas programit zyrtar, takimi nis në orën 17:00 me mbërritjen e delegacioneve dhe deklaratat për media, vijon me pritjen zyrtare në orën 17:40 dhe seancën plenare në orën 18:00. Pas fotografisë së përbashkët në orën 19:05 dhe konferencës për shtyp në ndërtesën “Europa” në orën 19:15, samiti përmbyllet me darkën e punës në orën 20:00. Ky format takimesh organizohet rregullisht që nga viti 2018, ndërsa Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend i rajonit pa statusin e kandidatit për anëtarësim. /E.A/
