Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Maxime Prévot, të cilin e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit belg në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Kosovës.
Gjatë bashkëbisedimit, Kurti veçoi kontributin historik të Belgjikës në strehimin e refugjatëve gjatë luftës dhe angazhimin e tyre brenda forcave të KFOR-it.
Fokus i veçantë i takimit ishte thellimi i marrëdhënieve dypalëshe, me theks te bashkëpunimi ekonomik dhe krijimi i lehtësirave për investime, duke marrë parasysh edhe praninë e një mërgate të mirë-integruar në Belgjikë.
Kryeministri përmendi marrëveshjen e fundit për eliminimin e tatimit të dyfishtë, të nënshkruar në Washington DC, si një hap pozitiv që hap rrugën për marrëveshje të reja sektoriale në të ardhmen.
Sa i përket aspiratave ndërkombëtare, Kurti nënvizoi se Brukseli mbetet një qendër jetike për Kosovën, duke ritheksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është prioritet strategjik.
Ai kërkoi avancimin e procesit përmes marrjes së statusit të shtetit kandidat, ndërsa konfirmoi përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO.
