UBT News

Kryeministri Kurti dhe senatorja Shaheen flasin për raportet Kosovë-SHBA

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në vazhdën e takimeve në Washington D.C., të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, takoi edhe senatoren demokrate nga New Hampshire, Jeanne Shaheen.

Sipas një komunikate të Qeverisë, ndër temat që u diskutuan ishin marrëdhëniet bilaterale, zhvillimet e fundit në vend, progresi ekonomik, investimet në mbrojtje, përmirësimi në siguri dhe sundim të ligjit.

Kryeministri veçoi bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes, vendimin e Qeverisë për heqjen e tarifës doganore ndaj të gjitha produkteve me origjinë nga ShBA-ja dhe vazhdimin e programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për Kosovën nga administrata e re amerikane, si zhvillimet kryesore dhe me interes të përbashkët në kuadër të raporteve dypalëshe Kosovë-ShBA.

Gjithashtu, ata diskutuan edhe për mundësitë që vendi ynë ofron për kompanitë dhe investitorët amerikanë.

Senatorja Shaheen kishte vizituar vendin tonë pas sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit dhe ka bërë thirrje të vazhdueshme për arrestimin e Millan Radoiçiq./S.K/KP/

Exit mobile version