Në një moment të rëndë për letërsinë botërore, kryeministri i Kosovës ka shprehur ngushëllime për humbjen e Ismail Kadaresë, të cilin e ka cilësuar si shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave.
Ai e përshkruan Kadarenë si një vizionar të paçmueshëm, i cili me krijimtarinë e tij ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në imagjinatën dhe dijen e lexuesve në mbarë botën. Kryeministri tha se me largimin e tij, humbet një burim i pamatshëm i inspirimit për brezat e ardhshëm.
“Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë. Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë. Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë. Ngushëllime të gjithëve”./UBTNews/