Mesfushori i Real Madridit, Toni Kroos e ka pranuar se skuadra është më pak e sigurt në aspektin defansiv që prej largimit të Casemiros drejt Manchester United këtë verë.
Casemiro iu bashkua Unitedit në një marrëveshje që preku tarifën e 75 milionë eurove, gjë që bëri që Kroos të jetë i nevrikosur me lojtarët që vendosin t’i bashkohen Premier Ligës.
Mesfushori gjerman tha se lojtarët po largohen drejt kampionatit anglez vetëm për para.
Kroos e ka pranuar se ishte i habitur dhe i mërzitur me vendimin e ish-bashkëlojtarit të tij për tu larguar nga Real Madridi.
Përkrah Luka Modricit, Kroos dhe Casemiro formuan një treshe e cila fitoi tituj të shumtë të Ligës së Kampionëve dhe të La Ligas.
“Unë isha i habitur nga largimi i Casemiros. Është e vërtetë, spekulimet filluan të qarkullojnë dy ditë përpara, por gjithmonë ka shumë spekulime të cilat në të shumtën e rasteve nuk ndodhin. Por kur më tregoi mua unë u mërzita, sepse fillova të kujtojë të gjitha vitet me të dhe gjërat të cilat ne i fituam së bashku”, tha Kroos.
Po ashtu, Kroos ka hyrë në detaje të mëtutjeshme se si Realit është duke i munguar roli defansiv i Casemiros. Kroos e ka pranuar se atij i duhet tani të bëjë më shumë punë defansive, pasi që Aurelien Tchouameni është një mesfushor me tipare sulmuese për dallim nga Casemiro.
“Roli im ka ndryshuar paksa pas transferimit të Tchouamenit, sepse ai del nga pozicioni i tij më shumë se sa ka bërë Casemiro. Kjo gjë më detyron të mbrohem më shumë, por kjo më pëlqen. Nuk më ndryshon mua shumë, edhe pse është më shumë punë defansive”, tha Kroos.
Casemiro fitoi plot 18 trofe me Real Madridin që prej kalimit nga Sao Paulo në vitin 2013, duke përfshirë këtu tre tituj të La Ligas dhe pesë tituj të Ligës së Kampionëve.