UBT News

Kroos: Fituam pa CR7 e Ramos, Reali do të fitojë edhe pa mua

Toni Kroos ka njoftuar se ka mbyllur karrierën e tij pas Euro 2024, duke e përfunduar atë në moshën 34-vjeçare, dhe nuk ka në plan ta ndryshojë këtë vendim. Mesfushori gjerman luajti ndeshjen e fundit të karrierës së tij në një sfidë kundër Spanjës, që përfundoi me eliminimin e Gjermanisë nga turneu.

Në një podcast me vëllanë e tij, Kroos shprehu bindjen e tij për vendimin e tij, duke thënë: “Vendimi im është i pandryshueshëm. Duhet ta pranojmë. Është kompliment të jesh i rëndësishëm, por duhet të përshtatesh.”

Ai theksoi se Reali ka pasur sukses edhe pa figura të mëdha si Cristiano Ronaldo dhe Sergio Ramos. “Real Madridi u përshtat kur u larguan Cristiano dhe Ramos. Ata (Los Blancos) janë përshtatur gjithmonë dhe kanë vazhduar të fitojnë. Fituam dy herë Champions League pa ta, edhe pse ishin të rëndësishëm dhe janë legjenda absolute. E njëjta gjë do të ndodhë edhe tani, pa mua,” tha Kroos.

Kroos shprehu besimin se lojtarët e tanishëm të Realit do të gjejnë mënyrën për të vazhduar suksesin. “Të gjithë lojtarët e Real Madridit janë shumë të mirë në mënyrën e tyre. Ata thjesht duhet të gjejnë një mënyrë për të luajtur për të fituar dhe do ta bëjnë. Shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejt që të mos dëgjojnë gjithmonë: ‘Kroos nuk është atje’,” përfundoi ai.

Ish-mesfushori gjerman la një trashëgimi të rëndësishme te Real Madridi, duke kontribuar në shumë suksese të ekipit gjatë karrierës së tij të shkëlqyer./UBTNews/

 

 

Exit mobile version