Kroacia kishte ndërtuar një seri mbresëlënëse pa humbje nga mesi i qershorit 2025 deri në mars, duke regjistruar tetë fitore dhe një barazim. Megjithatë, kjo ecuri pozitive u ndërpre javën e kaluar pas humbjes 4:2 ndaj Anglisë.
Nënkampionia e botës e vitit 2018 dhe gjysmëfinalistja e edicionit 2022 synon të rikthehet te fitorja në përballjen me Panamanë, për të shmangur një eliminim të parakohshëm nga Kupa e Botës 2026.
Ndeshja do të zhvillohet në Toronto dhe nis në orën 01:00 të mëngjesit të së mërkurës, sipas kohës lokale në Kosovë.
Kroacia konsiderohet favorite përballë Panamasë, e cila në ndeshjen e parë u mposht nga Gana me një gol të pësuar në minutat shtesë.
Vëmendja kryesore do të jetë sërish te Luka Modriq, i cili pritet të udhëheqë mesfushën kroate. Pavarësisht humbjes ndaj Anglisë, paraqitja e veteranit kroat u vlerësua pozitivisht.
Në moshën 40-vjeçare, Modriq po merr pjesë në Kupën e tij të pestë të Botës. Ky pritet të jetë Botërori i fundit në karrierën e tij të jashtëzakonshme, duke i dhënë legjendës kroate një mundësi të fundit për të shkruar histori me kombëtaren.
D.L
Foto: Associated Press
