Shteti kroat përmes Ministrit të Mbrojtjes, Mario Banozic ka shprehur mbështetjen e plotë si dhe angazhimin e Kroacisë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Takimi virtual mes Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj dhe homologut të tij kroat u zhvillua sot. Në këtë takim mes tjerash u diskutua për situatën e përgjithshme të sigurisë pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë si dhe reflektimit të tij në rajonin tonë.
“Me Ministrin Banozic ndamë të njëjtin qëndrim se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor me orientim euroatlantik duhet të jemi të bashkuar në tejkalimin e çdo sfide që mund të cenoj sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë. Gjithashtu nga Ministri Banozic mora zotimin e tij për angazhim dhe mbështetje maksimale nga autoriteti i tij dhe Republikës së Kroacisë në synimin tonë për anëtarësim në NATO, në proces të përshpejtuar”, tha Mehaj./UBTNews/