UBT News

Kroaci: 10 persona të vdekur pas aksidentit me autobus, arrestohet shoferi

Dhjetë persona kanë vdekur dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur të dielën, pas daljes nga rruga të një autobusi me targa të Kosovës, në autostradën afër Sllavonski Brodit në Kroaci.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë, ka thënë se të vdekurit janë bashkatdhetarë, të cilët kanë qenë duke udhëtuar në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Përveç 10 të vdekurve, 44 persona janë plagosur, 15 prej tyre në gjendje të rëndë, ka njoftuar kjo Ministri.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, do të jetë e angazhuar në orët në vazhdim për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të lënduar dhe për t’iu asistuar bashkatdhetarëve dhe familjarëve të tyre në të gjitha procedurat e nevojshme”, është thënë në njoftimin e MPJD-së.

Kjo ministri ka ngushëlluar familjarët e viktimave dhe u ka dëshiruar shërim të shpejtë të plagosurve.

Ende nuk dihet se cili është shkaku i aksidentit.

Arrestohet shoferi

Zëvendës-Prokurori i Shtetit Komunal Sllavko Pranjiq, ka thënë se shoferi, i cili është gjetur në vendin e ngjarjes, është arrestuar ndërkohë.

“Shoferi është arrestuar nën dyshimin për drejtim të automjetit në mënyrë jo të duhur. Shkaqet e daljes nga rruga të autobusit do të përcaktohen kur të merren provat, ka thënë ai.

Pranjiq ka thënë po ashtu se përgjatë dëshmisë së tij, shoferi ka thënë se ka rënë në gjumë për një moment.

“Por ne do të përcaktojmë gjithçka më vonë”, ka thënë mes tjerash Pranjiq.

Më herët, drejtori i Mbrojtjes Civile Kroate, Damir Trut, u ka thënë gazetarëve se nëntë pasagjerë dhe një shofer kanë vdekur, duke deklaruar se në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë.

Ministri kroat i Shëndetësisë Vili Berosh, ka thënë në vendin e aksidentit se, në autobus kanë qenë 15 të mitur, prej të cilëve, një vajzë e plagosur rëndë.

Policia kroate e ka konfirmuar më herët se autobusi ka qenë me targa të Kosovës.

“Gjatë hetimit, policia ka konstatuar se bëhet fjalë për një autobus me tabela të Kosovës dhe sipas informacionit që kemi aktualisht, dhjetë persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë dërguar në spitalin në Sllavonski Brod për trajtim mjekësor”, ka thënë zëdhënësi i Policisë në Brod Posavina, Damir Breziq, për Radio Televizionin Kroat (HRT).

Sipas tij, situata është shumë e vështirë dhe se shumë persona janë në rrezik për jetën.

Shefi i policisë së trafikut në Sllavonski Brod, Franjo Galiq, u ka thënë gazetarëve se policia ka marrë raportime më 25 korrik në orën 6:20, se një autobus ka dalë nga rruga.

“Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, është përcaktuar se ishte një autobus me targa të regjistrimit të Kosovës, i cili po udhëtonte në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë”, ka thënë Galiq.

Aksidenti ka ndodhur afër shtëpizës për pagesë të rrugës.

Osmani, Kurti: Aksident tragjik

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur tragjik, lajmin për aksident.

“Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë!

Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë”, ka thënë Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ende nuk ka konfirmime zyrtare për detajet e aksidentit.

“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci, të një autobusi me targa të Kosovës. Ndonëse ende nuk kemi konfirmime zyrtare për detajet, lutemi të ketë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit. Ministri ynë i Punëve të Brendshme po niset për Kroaci, ndërkaq drejt vendit të aksidentit te autostrada e Sllavonski Brodit tashmë është nisur ambasadori ynë në Zagreb”, ka thënë Kurti përmes një postimi në Facebook.

Exit mobile version