UBT News

Krizë e madhe në Liban, gati 80 për qind s’kanë ushqim të mjaftueshëm ose para për të

Mbi tri të katërtat e amvisërive në Liban, përfshirë gati 100 për qind të familjeve refugjate siriane që jetojnë në këtë shtet, nuk kanë ushqim ose para për të blerë ushqim, sipas Kombeve të Bashkuara.

Sipas një ankete të re të UNICEF-it, fëmijët në veçanti po i bartin pasojat e një prej krizave më të rënda ekonomike të botës në historinë e vonë, shkruan Independent.

Përmes këtij hulumtimi u zbulua se gati një e treta e fëmijëve në shtetin e goditur nga kriza kanë shkuar në shtratin e gjumit të uritur ose nuk kanë ngrënë shujta të caktuara muajin e kaluar, pasi recesioni shkatërrues i la familjet praktikisht pa qasje në ndihma sociale.

Në përgjithësi, 77 për qind e amvisërive nuk kanë ushqim të mjaftueshëm ose para të mjaftueshme për të blerë ushqim, thuhet në raport. Në amvisëritë e refugjatëve sirianë në Liban, kjo shifër është 99 për qind.

“Banka Botërore e ka përshkruar atë që është duke ndodhur në Liban si me gjasë një nga tri kolapsimet më të mëdha ekonomike që nga mesi i shekullit XIX. Ajo që tregon anketa e UNICEF-it është që fëmijët janë duke e bartur barrën e kësaj katastrofe që po eskalon”, tha Yukie Mokuo, përfaqësuese e UNICEF-it në Liban.

“Shëndeti, shkollimi dhe vetë e ardhmja e fëmijëve po preken, pasi çmimet po rriten tepër dhe papunësia po vazhdon që të shtohet”, theksoi Mokuo.

Në raport thuhet se një në dhjetë fëmijë është dërguar në punë dhe se familjet po luftojnë për të siguruar ushqim në tavolinë. Ata që po e ndjekin mësimin po përballen me vështirësi, sepse uria e vuajtjet mendore po ndikojnë në aftësinë e fëmijëve për t’u përqendruar.

Exit mobile version