Te Barcelona ka shpërthyer një konflikt i plotë mes klubit dhe portierit gjerman, Marc-André ter Stegen, i cili është edhe kapiten i skuadrës. Shkak është bërë refuzimi i tij për të nënshkruar formularin e pëlqimit të informuar, që do t’i lejonte mjekëve të klubit të merrnin raportin e detajuar të operacionit që ai kreu në pjesën e poshtme të shpinës.
Klubi katalanas, i cili sapo ishte kthyer të martën nga turneu në Azi, kishte planifikuar një takim me portierin për të diskutuar raportin mjekësor. Dokumenti duhet t’i dërgohet La Ligës për të përcaktuar kohëzgjatjen e mungesës së tij. Nëse ajo do të ishte katër muaj ose më shumë, Barcelona do të përfitonte mundësinë të afronte lojtarë të rinj, përfshirë Joan Garcian, i cili është siguruar si zëvendësues i tij.
Refuzimi i Ter Stegen për të dhënë pëlqimin ka habitur drejtuesit e klubit dhe ka përshkallëzuar tensionet. Përplasja nisi pas lajmit për afrimin e Garcias, çka u interpretua si sinjal se gjermani mund të largohej. Situata u rëndua edhe më shumë kur Ter Stegen njoftoi i vetëm – dhe jo bashkë me klubin – vendimin për t’iu nënshtruar operacionit, duke parashikuar një rikuperim prej tre muajsh, më pak se koha e nevojshme që Barcelona të regjistronte portierin e ri.
Reagimi i klubit ishte i menjëhershëm: Ter Stegen nuk do të mbajë më shiritin e kapitenit. Ndërkohë, Barcelona ka paralajmëruar hapjen e procedurave disiplinore ndaj tij.