UBT News

Kriza e Perusë është një përrallë paralajmëruese për demokracitë

Nga Stefano Pozzebon

Peruja po përballet me dhunën më të keqe politike gjatë dekadave të fundit, por ankesat e protestuesve s’janë të reja; pasqyrojnë atë që sistemi ka dështuar të ofrojë për më shumë se 20 vjet.

Protestat që u nxitën nga rrëzimi i ish-presidentit Pedro Castillo muajin e kaluar, janë protestat më intensive që u zhvilluan në jug të vendit, ku dhjetëra njerëz mbetën të vdekur si pasojë e përleshjeve të dhunshme me forcat e sigurisë gjatë javëve të fundit.

Ky rajon, rreth vargmalit të Andeve, ku ndodhen disa prej vendeve më të famshme arkeologjike të Perusë, si rrënojat e lashta të Machu Picchu dhe qyteti i Cusco, është gjithashtu një nga më të varfërit në vend.

Ditët e fundit, protestuesit nga ky dhe rajone të tjera rurale të Perusë udhëtuan drejt kryeqytetit Lima, madje edhe për ditë të tëra – për t’i shprehur ankesat e tyre udhëheqjes së vendit dhe për të kërkuar dorëheqjen e presidentes aktuale, Dina Boluarte.

Zemërimi i tyre nxjerr në pah një krizë shumë më të thellë demokratike. Pas vitesh të ndyra politike, Peruja është një vend që s’ndjen dashuri për demokracinë, si presidenca ashtu edhe kongresi janë gjerësisht të diskredituar dhe të perceptuar si institucione të korruptuara.

Një sondazh i vitit 2021 nga LABOP, një laborator kërkimor kërkimor në Universitetin Vanderbilt, zbuloi se vetëm 21% e peruanëve janë të kënaqur me sundimin demokratik, më së paku në çdo vend në Amerikën Latine dhe Karaibe përveç Haitit.

Në mënyrë shqetësuese, më shumë se gjysma e peruanëve që morën pjesë në atë sondazh thanë se pushtimi ushtarak i vendit do të justifikohej me një shkallë të lartë korrupsioni.

Në thelb të krizës janë kërkesat për kushte më të mira jetese, të cilat nuk janë plotësuar qe dy dekada që nga rivendosja e sistemit demokratik në vend. Peruja është një nga demokracitë më të reja në Amerikë, ku zgjedhjet e lira dhe të ndershme u rivendosën në vitin 2001 pas rrëzimit të liderit të krahut të djathtë, Alberto Fujimori.

Ekonomia e Perusë lulëzoi si nën pushtetin e Fujimorit ashtu edhe në vitet që pasuan pas ardhjes së demokracisë, duke tejkaluar pothuajse çdo tjetër në rajon falë eksporteve të fuqishme të lëndëve të para dhe investimeve të huaja të shëndetshme. Termi Lima Consensus u krijua për të përshkruar sistemin e politikave të tregut të lirë që elitat peruane promovuan për të nxitur bumin ekonomik.

Megjithatë edhe pse ekonomia lulëzoi, institucionet shtetërore u dobësuan në thelb nga një filozofi qeverisëse që reduktoi në minimum ndërhyrjen e shtetit.

Që në vitin 2014, profesori Steven Levitsky i Universitetit të Harvardit, vuri në pah një paradoks të veçantë peruan: Ndërsa në shumicën e demokracive opinioni publik pasqyron gjendjen e ekonomisë, në Peru vlerësimet rreth presidencës vazhdimisht ranë gjatë viteve 2000, edhe përkundër rritjes ekonomike.

Levitsky theksoi mangësitë në siguri, drejtësi, arsim dhe shërbime të tjera bazë nga qeveritë e njëpasnjëshme të Perusë si kërcënime për qëndrueshmërinë e demokracisë së re.

Pandemia e koronavirusit vetëm sa e përkeqësoi këtë dobësi strukturore në thelbin e shoqërisë peruane. Ndërsa shumë vende zgjeruan rrjetat e sigurisë sociale për të kundërshtuar ndikimin e dëmshëm ekonomik të bllokimeve, Peruja nuk kishte asnjë rrjet për t’u rikthyer.

Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi gjysma e popullatës peruane nuk kishin qasje në ushqim të mjaftueshëm gjatë muajve të pandemisë, pasi virusi u përhap në të gjithë vendin. Të dhënat nga Universiteti Johns Hopkins tregojnë se Peruja regjistroi numrin më të lartë të vdekjeve per-capita në botë për shkak të koronavirusit.

Ekonomia e vendit është rikthyer në rrugën e duhur pas goditjes pandemike – PBB-ja e Perusë u rrit me 13.3% mahnitëse në vitin 2021 – por besimi i publikut në institucionet demokratike ka rënë, ashtu siç parashikoi Levitsky.

Një sondazh i publikuar në shtator të vitit 2022 nga IEP tregoi se 84% e peruanëve nuk e miratuan performancën e Kongresit. Ligjvënësit perceptohen jo vetëm si ndjekës të interesave të tyre në Kongres, por janë të lidhur edhe me praktika korruptive.

Frustrimet e vendit janë reflektuar në presidencën e tij prej vitesh. Gjashtë presidentë janë ndërruar në më pak se 5 vjet.

Paraardhësi i saj Castillo u ngrit në pushtet në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021. Ai vlerësohej si njeriu që do t’i ofronte vendit një fillim të ri. Por polarizimi dhe kaosi rreth presidencës së tij, përfshirë akuzat për korrupsion dhe përpjekjet e shumta për shkarkim nga Kongresi, të cilat Castillo i hodhi poshtë si të motivuara politikisht – vetëm sa përkeqësuan tensionet para-ekzistuese.

Ashtu si në shumë rajone të tjera të Amerikës Latine, adresimi i këtyre çështjeve kërkon ndryshime strukturore në aspektin e barazisë sociale dhe ekonomike, trajtimin e krizës së kostos së jetesës dhe luftimin e korrupsionit.

Në të gjithë rajonin, pandemia ka dëshmuar një kontroll të realitetit pas vitesh zhvillimi ekonomik dhe social nën regjimet demokratike, duke dhënë përshtypjen se Amerika Latine më në fund e kishte lënë pas shpine epokën e grushteve të shtetit, diktaturave dhe revoltës.

Peruja e sotme mund të jetë një përrallë paralajmëruese për çdo demokraci që dështon t’i shërbejë popullit të saj dhe që rrotullohet mbi vetveten./UBTNews/

Exit mobile version