Mesfushori shqiptar Kristjan Asllani është bërë pjesë e Torinos, pas një marrëveshjeje huazimi nga Interi. Huazimi është bërë me një pagesë prej 1.5 milionë eurosh, ndërsa Torino ka të drejtën e blerjes së tij për 12 milionë euro.
Pas përfundimit të vizitave mjekësore dhe nënshkrimit të kontratës, që do ta lidhë me klubin nga dita e enjte, zyrtarizimi i Asllanit nga Torino u shty për shkak të disa vonesave burokratike mes klubeve. Interi vonoi dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm në Torino, duke bërë që mesfushori të mos mund të grumbullohej për ndeshjen kundër ish-ekipit të tij.
Asllani është përforcimi i shtatë i Torinos në këtë merkato verore, duke iu bashkuar blerjeve të tjera si Anjorin, Ngonge, Ismajli, Aboukhlal, Israel dhe Simeone.
Mesfushori i lindur në vitin 2002, u transferua te Interi në korrik të 2022-ës, ku në tre sezone luajti 99 ndeshje, duke shënuar katër gola dhe dhënë pesë asistime. Ai ka fituar gjatë karrierës së tij edhe një Scudetto, një Kupë të Italisë dhe dy Superkupa italiane.