UBT News

Kristjan Asllani drejt largimit nga Interi, interesim nga Al-Jazira

Interi po punon për të reduktuar numrin e lojtarëve në skuadër, ndërsa në mesin e futbollistëve që pritet të largohen është edhe mesfushori shqiptar Kristjan Asllani.

Asllani është rikthyer te Interi pas huazimeve te Torino dhe Besiktas, por nuk bën pjesë në planet e trajnerit Christian Chivu për sezonin e ri.

Sipas raportimeve nga mediat italiane, për 24-vjeçarin ka shfaqur interesim Al-Jazira nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Dy klubet tashmë po përpiqen të gjejnë gjuhën e përbashkët për një marrëveshje, ndërsa ende nuk është përcaktuar formula e transferimit.

Mbetet të shihet edhe nëse Asllani do të jetë i gatshëm për të vazhduar karrierën në Emiratet e Bashkuara Arabe. Për mesfushorin shqiptar interesim kishte shfaqur më herët edhe Monza.

Asllani iu bashkua Interit nga Empoli, por gjatë periudhës së tij në Milano e pati të vështirë të siguronte një vend të rregullt në formacion, fillimisht për shkak të konkurrencës me Marcelo Brozović dhe më pas me Hakan Çalhanoğlu.

Në huazimin e fundit te Besiktasi, Asllani zhvilloi 33 ndeshje, duke shënuar dy gola dhe dy asistime.

Sipas raportimeve, Al-Jazira është e gatshme t’i ofrojë një kontratë të leverdishme, ndërsa Interi po synon një transferim të përhershëm të mesfushorit. Zhvillime të reja rreth marrëveshjes priten në orët në vijim.

D.L

Exit mobile version