UBT News

Kristian Prenga sfidon Anthony Joshuan: “Do ta anuloj meçin e tij me Tyson Furyn”

Boksieri shqiptar Kristian Prenga është i bindur se mund të shkaktojë një befasi të madhe në përballjen ndaj ish-kampionit të botës, Anthony Joshua, duke paralajmëruar se britaniku nuk duhet të mendojë ende për duelin e shumëpritur me Tyson Furyn.

Prenga do të përballet me Joshuan të shtunën në Jeddah të Arabisë Saudite, në një meç që nga shumëkush shihet si përgatitje për britanikun para sfidës së planifikuar ndaj Furyt në fund të vitit.

Megjithatë, boksieri shqiptar nuk e sheh veten si një kundërshtar kalimtar dhe ka paralajmëruar se Joshua mund të përballet me një surprizë të madhe.

“Nuk është mirë të bësh një plan para Zotit. Vetëm Zoti mund të bëjë plane për të, për mua dhe për të gjithë. Ai ka bërë plan për t’u përballur me Tyson Furyn, por së pari duhet të luftojë me mua. Si e di ai çfarë do të ndodhë me mua? Do ta anuloj atë ndeshje të planifikuar me Furyn”, ka thënë Prenga për revistën “Ring”.

Prenga, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka një bilanc prej 20 fitoresh dhe një humbjeje në karrierë, ndërsa të gjitha fitoret e tij i ka arritur me ndërprerje. Pavarësisht statistikave mbresëlënëse, ai ka pasur përballë kundërshtarë të një niveli më të ulët krahasuar me ata me të cilët është përballur Joshua.

Boksieri shqiptar thotë se fakti që nuk është shumë i përmendur në skenën ndërkombëtare mund të jetë avantazh për të.

“Nuk më intereson kjo. Mendoj se është më mirë për mua sepse njerëzit thonë ‘nuk është askush’. Por do të shohim të shtunën se kush jam unë”, deklaroi Prenga.

Nga ana tjetër, Joshua hyn në këtë duel me një rekord prej 29 fitoresh dhe katër humbjesh. Ish-kampioni i botës në kategorinë e rëndë ka kaluar një periudhë të vështirë në karrierë, pasi humbi me nokaut ndaj Daniel Dubois në vitin 2024.

Së fundmi, Joshua u rikthye në ring për një duel ndaj yllit të “YouTube”, Jake Paul, të cilin e fitoi, ndërsa pak ditë më vonë përjetoi një aksident me veturë në Nigeri, ku humbën jetën dy persona të afërt me të.

Prenga beson se Joshua nuk është më boksieri dominues i viteve të kaluara dhe se rënia e tij ka filluar.

“Ai është luftëtar i shkëlqyer. Ka gjithçka, por mendoj se karriera e tij ka mbaruar. Është më keq se asnjëherë më parë. Është në rënie”, u shpreh Prenga.

Me shumë vetëbesim, shqiptari synon të shfrytëzojë mundësinë më të madhe të karrierës së tij dhe të trondisë botën e boksit ndaj një prej emrave më të mëdhenj të peshave të rënda.

D.L

Exit mobile version