Boksieri shqiptar Kristian Prenga do të përballet me një nga emrat më të mëdhenj të boksit profesionist, Anthony Joshua, në një duel që pritet të zhvillohet më 25 korrik në Riad të Arabisë Saudite.
Vetë Joshua ka konfirmuar rikthimin në ring për këtë përballje, e cila do të shërbejë si një test i rëndësishëm përpara sfidës së madhe që e pret më vonë gjatë vitit. Për Prengën, kjo është një mundësi e artë për t’u përballur me një kampion të njohur botëror dhe për të bërë hap të madh në karrierë.
Ndërkohë, vëmendja e botës së boksit është e përqendruar edhe te superndeshja e shumëpritur mes Joshua dhe Tyson Fury. Pas vitesh spekulimesh, dy rivalët kanë arritur marrëveshje për t’u përballur, duke e bërë këtë një nga duelet më të mëdha të kohëve të fundit.
Para kësaj përballjeje, Joshua synon të rikthehet në formë optimale pikërisht përmes meçit ndaj Prengës. Në anën tjetër, Fury tashmë është rikthyer në ring, duke fituar me pikë ndaj Arslanbek Makhmudov pas një pauze të gjatë prej 16 muajsh.
Nëse gjithçka shkon sipas planit dhe Joshua kalon me sukses sfidën e korrikut, përballja e madhe me Fury pritet të zhvillohet në nëntor, me shumë gjasa në Wembley Stadium, ndërsa interesimi global për këtë duel pritet të jetë jashtëzakonisht i madh.
