Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, ku Lidhja Demokratike e Kosovës u radhit sërish e treta me 16.69% të votave, ka ndezur një luftë të fortë të brendshme politike.
Tri nga degët më të fuqishme të partisë kanë nisur një mori kritikash, duke kërkuar zyrtarisht largimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, gjë që ka provokuar një kundërpërgjigje të ashpër nga ky i fundit, i cili po e cilëson këtë lëvizje si sabotim të brendshëm.
Kryesitë e degëve në Pejë, Lipjan dhe Prishtinë rreshtohen kundër kryetarit
Dega e LDK-së në Pejë ka njoftuar e para se pas mbledhjes së kryesisë ka vendosur me shumicë votash që t’i kërkojë lidershipit të partisë, konkretisht kryetarit Lumir Abdixhiku, dorëheqjen si një akt moral dhe politik. Përmes një komunikate në Facebook, kjo degë ka vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin zgjedhor duhet të bartet direkt nga udhëheqja qendrore.
Një hap të njëjtë ka ndjekur edhe kryesia e degës në Lipjan, e cila pas një analize të detajuar të secilës qendër votimi, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit si standard të përgjegjësisë politike dhe si reflektim ndaj mesazhit të qytetarëve. Këtë kërkesë e ka shpërndarë publikisht edhe deputeti i zgjedhur Arben Gashi.
Ndërkohë, valës së pakënaqësive i është bashkuar edhe Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë, e cila ka deklaruar se partia po kalon njërën nga periudhat më të vështira në historinë e saj dhe po rrëshqet drejt margjinalizimit politik. Kjo degë ka theksuar se megjithëse e falënderon Abdixhikun për angazhimin, adresa e humbjes së tri palë zgjedhjeve të fundit dihet qartë, prandaj ai duhet të japë dorëheqje për t’u hapur rrugë ndryshimeve të domosdoshme.
Nënkryetarja Doarsa Kica-Xhelili kërkon unitet dhe debat të brendshëm
Pas këtyre zhvillimeve, ka reaguar nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e cila ka bërë thirrje të hapur për unitet të sinqertë dhe të përgjegjshëm. Përmes një shkrimi në rrjetet sociale, ajo ka thënë se LDK-ja nuk është pronë e askujt dhe se shtëpia politike nuk rrënohet kur ka nevojë për riparim, por forcohet.
Kica-Xhelili ka potencuar se rezultati kërkon reflektim që duhet t’i bashkojë e jo t’i copëtojë anëtarët, duke kujtuar se Abdixhiku mori votëbesimin e delegatëve në Kuvendin e partisë në janar. Ajo ka kërkuar që debati të zhvillohet brenda strukturave dhe partia të ruhet nga përçarjet dhe kalkulimet e ngushta në një moment kur vendi gjendet në krizë.
Lumir Abdixhiku kundërsulmon dhe kërkon dorëheqjen e Muhaxherit dhe Ahmetit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u është përgjigjur menjëherë kërkesave të degëve, duke e kthyer gishtin e përgjegjësisë nga krerët lokalë. Abdixhiku ka deklaruar se LDK-ja ka performuar më së dobëti pikërisht në Pejë dhe Lipjan, dy komuna ku partia qeveris në nivel lokal, dhe se rrezimi në pozicionin e tretë në këto zona tregon një dozë të sabotimit të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së.
Ai ka theksuar se çështjen e dorëheqjes së tij e ka zgjidhur në Kuvendin e janarit dhe ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme morale të kryetarit të degës në Pejë, Gazmend Muhaxheri, dhe atij në Lipjan, Imri Ahmeti. Abdixhiku i ka quajtur këto kërkesa të koordinuara dhe ka shprehur keqardhje që dëmtimi nga brenda mbetet qëllim, duke e mbyllur reagimin me pyetjen e ashpër: “Si nuk u ngopën kurrë?!”.
Kryetari i partisë fton anëtarësinë për durim dhe njofton mbështetje të gjerë
Në një reagim të dytë radhazi, Lumir Abdixhiku i ka bërë thirrje anëtarësisë së shqetësuar të LDK-së për durim dhe maturi. Ai ka shkruar se ka momente kur padrejtësia duket më e madhe se mundi, por pikërisht këto momente e provojnë karakterin që do t’i tejkalojë llogaritë e vogla.
Në përmbyllje, Abdixhiku ka falënderuar publikisht një numër të madh të kryetarëve të degëve, nëndegëve dhe veprimtarëve që i kanë ofruar mbështetje të fuqishme private dhe publike, duke sinjalizuar se udhëheqja qendrore nuk e ka ndërmend të tërhiqet përballë këtij rebelimi të degëve. /E.A/
