Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Albi Mall Superliga e Kosovës, ka ndarë çmimin tradicional “Ylli i Javës”, i cili i jepet futbollistit më të dalluar të javës në kampionatin elitar kosovar.
Për javën e 30-të të edicionit aktual, ky çmim i është ndarë për herë të tretë futbollistit të FC Drenica, Kreshnik Uka, i cili shkëlqeu me dy gola në fitoren 3:2 ndaj FC Prishtina e Re.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i cili ka shpërblyer paraqitjen e tij të jashtëzakonshme në këtë xhiro të kampionatit.
Pas marrjes së çmimit, Uka u shpreh i lumtur për vlerësimin, duke theksuar rëndësinë e fitores dhe reagimin e ekipit në pjesën e dytë të ndeshjes. Ai tha se skuadra, pas disavantazhit 1:0 në pjesën e parë, arriti të rikthehet fuqishëm falë angazhimit të lojtarëve dhe stafit teknik, duke përmendur edhe bashkëpunimin brenda ekipit dhe mentalitetin e ri që po krijohet në klub.
Uka shtoi se synimi kryesor i klubit mbetet Kupa e Kosovës, por nuk përjashtojnë as objektiva të tjera në vazhdim të sezonit, duke theksuar se ekipi po punon me seriozitet dhe përkushtim në çdo ndeshje.
Ky çmim vlerësohet si një tjetër konfirmim i formës së mirë të Kreshnik Ukës në këtë edicion të Superligës.
