Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka ndarë çmimin tradicional “Ylli i Javës” për xhiron e 35-të të elitës së futbollit kosovar.
Ky vlerësim i është dhënë futbollistit të KF Drenica, Kreshnik Uka, pas paraqitjes së tij të jashtëzakonshme në fitoren dramatike 3-2 ndaj KF Ferizaj.
Uka ishte protagonisti kryesor i takimit, duke realizuar dy gola dhe duke kontribuar edhe me një asistim, në një ndeshje shumë të rëndësishme për skuadrën e tij në luftën për mbijetesë.
Vlerësimi për “Yllin e Javës” është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i cili e veçoi mesfushorin e Drenicës si lojtarin më të dalluar të javës në Superligë.
Pas marrjes së çmimit, Kreshnik Uka u shpreh i lumtur për kontributin e tij dhe rëndësinë e triumfit ndaj Ferizajt.
Ai theksoi se çdo ndeshje në stinorin pranveror ka qenë si finale për Drenicën dhe se skuadra ishte e vetëdijshme për vështirësinë e përballjes, pavarësisht pozitës së kundërshtarit në tabelë.
Uka gjithashtu falënderoi bashkëlojtarët, stafin teknik dhe tifozët për mbështetjen, ndërsa shtoi se skuadra do të kërkojë fitore edhe në ndeshjen e fundit ndaj FC Prishtina për t’iu shmangur barazhit dhe për të siguruar mbijetesën direkte në elitë.
