Mbrojtësi i Kosovës, Kreshnik Hajrizi, ka reaguar përmes një mesazhi emocionues pas kartonit të kuq të marrë në përballjen ndaj Irlandës, ku la “Dardanët” me një lojtar më pak në një moment vendimtar të ndeshjes.
Pas humbjes 3-0 në Dublin, Hajrizi ka marrë përgjegjësinë për veprimin e tij, duke shprehur zhgënjimin e thellë dhe duke kërkuar falje publike ndaj tifozëve, bashkëlojtarëve dhe gjithë popullit të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai e ka cilësuar këtë si një nga momentet më të vështira të karrierës së tij, duke pranuar peshën e gabimit dhe pasojat që pati për ekipin.
“Një moment jashtëzakonisht i vështirë për t’u përjetuar, pa dyshim një nga momentet më të dhimbshme të karrierës sime. Sot ndiej një zhgënjim të madh dhe një dëshpërim të thellë. Kam bërë një gabim që pati pasoja të rënda dhe që lëndoi një vend të tërë, një komb të tërë. Jam plotësisht i vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbaj dhe dua të kërkoj falje me gjithë zemër”, ka shkruar Hajrizi.
Ai gjithashtu u ka kërkuar falje tifozëve që ishin të pranishëm në stadium, të gjithë atyre që mbështetën Kosovën, si dhe bashkëlojtarëve të tij.
“Faleminderit të gjithëve që vazhdojnë të na mbështesin, edhe në momentet më të vështira. Forca Kosovë! Dashuri dhe respekt i pafund për këtë fanellë dhe për gjithë kombin tonë”, përfundoi mesazhin mbrojtësi kosovar.
Kujtojmë se Hajrizi u ndëshkua me karton të kuq në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Irlandës, pas një prekjeje me dorë të topit në vijën e portës. Ky episod u pasua me penallti për vendasit, të cilët më pas shënuan edhe dy gola të tjerë për të vulosur fitoren 3-0.
D.L
