Xherdan Shaqiri ka thënë se ndihet krenar që do të jetë në gjendje ta udhëheqë Zvicrën si kapiten, në mungesë të kapitenit të parë Granit Xhaka, në çerekfinale kundër Spanjës të premten në Euro 2020.
Kapiteni Xhaka do të mungojë kundër Spanjës sepse është i pezulluar, prandaj shiriti i kapitenit do t’i bartet kosovarit tjetër, anësorit Shaqiri, raporton Gazeta Express.
Ylli i Liverpoolit – i cili i shënoi dy gola në fazën grupore për ta dërguar Zvicrën në 1/8 e finales ku ekipi helvetik shkroi historinë duke e arritur çerekfinalen e parë në një turne të madh pas fitore në penallti kundër Francës – do ta bartë shiritin e kapitenit për herë të parë në karrierën e tij me kombëtare.
Do të jetë një ndeshje emocionale për 29-vjeçarin, i cili është golashënuesi më i mirë i Zvicrës në turne të mëdhenj me 7 gola.
Duke folur para ndeshjes të së premtes pasdite, Shaqiri tha: “Ishte ndeshje e vështirë kundër Francës. Kam punuare shumë në mbrojtje bashkë me Haris (Severovic). Do të përpiqem të jap gjithçka nga vetja për ekipin edhe në ndeshje kundër Spanjës. Nëse shënoj apo asistoj, do të jetë shumë mirë. Por nuk jam i dobët nëse nuk shënoj apo asistoj.”
I pyetur për shiritin e kapitenit, futbollisti nga Gjilani tha: “Është krenari për mua ta udhëheq ekipin nesër.”
“Do ta luajmë lojën tonë normale. Nëse e japim 120 për qind nga vetja, gjithçka është e mundur”, shtoi ai.
Me dy golat kundër Turqisë, Shaqiri u bë lojtari i parë i Zvicrës që shënon në katër turne radhazi, në Kupën e Botës 2014, Euro 2016, Kupa e Botës 2018 dhe Euro 2020.