Dy zyrtarë bankarë janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe përfshirje në një skemë financiare, përmes së cilës një qytetare dyshohet se ishte ngarkuar me kredi prej 25 mijë euro pa dijeninë e saj.
Sipas njoftimit të Policisë, hetimet janë zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, me autorizim të Prokurorit të Shtetit.
Hetimet kanë zbuluar se i dyshuari i parë, në cilësinë e menaxherit bankar, dyshohet se ka tejkaluar autorizimet ligjore duke urdhëruar lirimin e mjeteve në vlerë prej 24 mijë eurosh. Ai dyshohet se ka udhëzuar në mënyrë kundërligjore analistin bankar që të transferojë shumën në llogaritë e dy bizneseve.
Sipas Policisë, analisti bankar ka ekzekutuar urdhrin verbal të menaxherit, duke transferuar nga 12 mijë euro për secilin biznes nga llogaria e të dëmtuarës, e cila paraprakisht dyshohet se ishte ngarkuar me kredi prej 25 mijë euro pa dijeninë e saj.
Autoritetet bëjnë të ditur se pas këtyre veprimeve, ndaj viktimës ishte iniciuar edhe procedurë përmbarimore, ndërsa banka kishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurori lidhur me kredinë në emër të saj, pa ofruar prova që dëshmojnë se ajo kishte aplikuar apo përfituar kredinë.
Sipas Policisë, të dyshuarit me veprimet e tyre i kanë shkaktuar dëm financiar viktimës duke e ngarkuar me kredi fiktive dhe procedura përmbarimore pa dijeninë e saj.
Të dy të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Hetimet për rastin do të vazhdojnë në aspektin financiar, me qëllim të zbardhjes së plotë të mënyrës së realizimit dhe shpërndarjes së shumës prej 25 mijë eurosh.
