Komiteti Olimpik i Kosovës po shpreson edhe në një tjetër medalje në Tokio. Pas dy të artave në xhudo, shpresat janë edhe tek mundësi Egzon Shala që garon në orët e para të enjtes me kohën tonë lokale.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, që ishte i pranishëm në Festivalin Olimpik, tha se Shala është një garues shumë i mirë dhe me pak fat mund të rrëmbejë edhe ai një medalje.
“Qëllimi ynë kryesor është që të motivojmë fëmijët të merren me sport, sepse po shihen edhe rezultatet e Kosovës në Lojërat Olimpike në Tokio, ku erdhëm me dy medalje të arta, dhe më 5 gusht presim që të kemi ndoshta edhe një medalje tjetër, meqenëse kemi edhe një garues të fundit, Egzon Shalën i cili do të merr pjesë në mundje. Egzoni është një garues shumë i mirë dhe besoj që me një fat të vogël atje do të marr një medalje”, tha Krasniqi.
Festivali Olimpik ka vazhduar edhe sot me aktivitetet sportive në sheshin “Skënderbeu”, aktivitete këto që po mbahen për nder të Lojërave Olimpike “Tokio 2020”.
Numri i fëmijëve të pranishëm ishte i madh, ku aktivitetet që i zhvillonin ishin nga sporti i basketbollit, ping pong-ut, futbollit dhe mundjes.
Duke folur për Festivalin Olimpik që do të mbahet deri më 8 gusht në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës, tregoi që Kosova është ndër shtetet e pakta në botë që po organizon e një festivali të tillë.
“Unë dua ta falënderojë stafin e Komitetit Olimpik të Kosovës të cilët e kanë bërë një punë të shkëlqyeshme me gjithë këto ditë prej fillimit të Lojërave Olimpike e deri më sot. Kështu që ne do të vazhdojmë me këto aktivitete sa më shumë, që t’i motivojmë të rinjtë tanë që të merren me sport”, shtoi presidenti Krasniqi.