Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve skandaloze “vdekje për shqiptarët” dhe “dhoma gazi për shqiptarët”, të bëra në një palestër sportive në Maqedoninë e Veriut, në prani të kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski dhe delegacionit qeveritar.
Krasniqi e cilësoi këtë gjuhë si të papranueshme, të rrezikshme dhe thellësisht kundër vlerave demokratike dhe europiane.
“Shqiptarët janë komb shtetformues në Maqedoninë e Veriut dhe partnerë të rëndësishëm në rrugën euroatlantike të këtij shteti. Gjuha e urrejtjes ndaj tyre dëmton bashkëjetesën dhe paqen, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në rajon,” tha ai.
Ai i bëri thirrje qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të distancohet qartë nga aktet ekstremiste dhe të mos heshtë, pasi heshtja mund të interpretohet si miratim.
Krasniqi kritikoi edhe kryeministrin në detyrw të Kosovës, Albin Kurit duke e konsideruar atë si një ndër mbështetësit politikë të qeverisë aktuale në Shkup.
“Ai mban përgjegjësi morale dhe politike për klimën anti-shqiptare që po thellohet dita-ditës,” theksoi lideri i PDK-së.
Në fund, ai tha se dinjiteti dhe mirëqenia e çdo komuniteti nuk janë të negociueshme, dhe se heshtja përballë gjuhës fashiste është një qëndrim – si brenda ashtu edhe jashtë kufirit.