UBT News

Krasniqi përkujton Vokrrin: Do të mbetet gjithmonë inspirim i gjeneratave të reja

Në trevjetorin e ndarjes nga jeta, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi ka përkujtuar legjendën e futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, duke thënë se ai do të mbetet inspirim për gjeneratat e reja.

Vokrri ishte ndër meritorët për pranimin e Kosovës në shtëpitë më të mëdha të futbollit, atë të FIFA-s dhe UEFA-s, dhe tani “Dardanët” janë duke gëzuar punën e tij.

“Qershori i sotëm shënon trevjetorin e ikjes në amshim të legjendës së futbollit mbarë-shqiptar, Fadil Vokrri. 9-shi me të cilin krenoheshim të gjithë në vitet e arta të KF Prishtina, do të kujtohet përherë nga Lëvizja Olimpike e Kosovës, të cilës i shërbeu edhe në vitet e fundit, duke qenë nënpresident i Komitetit Olimpik të Kosovës”, shkruan Krasniqi.

Ai tha se veprimtaria e Vokrrit nuk do të vdesë kurrë, por ajo do të jetë një inspirim i vazhdueshëm për brezat e ardhshëm.

“Kontributi i Vokrrit ishte i jashtëzakonshëm edhe nën drejtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, të cilën arriti ta largojë nga izolimi, për ta bërë anëtare të UEFA-s dhe FIFA-s. Legjenda Vokrri ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë inspirim për gjeneratat e reja, të cilat u rritën duke kënduar e veshur fanellën e 9-shit të Prishtinës dhe jo vetëm”, tha Krasniqi.

Ai ishte njëri nga futbollistët më të mirë shqiptarë dhe më i merituari për formimin e Përfaqësueses së Kosovës në futboll dhe pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA në vitin 2016.

Exit mobile version