UBT News

Krasniqi: PDK do ta dërgojë në Kushtetuese vendimin e ZRRE-së për të mbrojtur bizneset

Partia e Demokratike e Kosovës (PDK) paralajmëron se gjatë kësaj jave do të dërgon në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, vendim ky i cili detyron mbi rreth 1 mijë e 400 biznese të dalin në të ashtuquajturin treg të lirë të energjisë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka shkruar në Facebook se në konsultim me avokatin Faton Fetahu dhe ekipin e juristëve të PDK-së, kemi konstatuar se tashmë janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore që ky vendim i ZRRE-së të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, gjë që do ta bëjmë gjatë kësaj jave.

“Ne do të kërkojmë masë të përkohshme, në mënyrë që ky vendim i dëmshëm të mos zbatohet deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka thënë se që nga fillimi PDK është angazhuar me vendosmëri për ta ndalur ZRRE-në nga zbatimi i vendimit të saj të padrejtë, i cili i detyron mbi 1,300 biznese të dalin në të ashtuquajturin “treg të lirë” të energjisë – në kohën kur vetë ZRRE-ja nuk ka krijuar as kushtet minimale për një gjë të tillë.

“Këtë betejë e nisëm në gjykatat e rregullta, duke përdorur çdo mjet juridik në dispozicion. Por, edhe pse provat ishin të qarta dhe pasojat për ekonominë e vendit evidente, Gjykata Themelore e refuzoi kërkesën tonë, ndërsa Gjykata e Apelit e legjitimoi këtë refuzim, duke i hapur rrugë zbatimit të vendimit të ZRRE-së”, shkruan ai.

Sipas tij, ky nuk është vetëm një proces gjyqësor, por si një betejë për të mbrojtur biznesete e vendit.

“Është një betejë për të mbrojtur bizneset tona, ekonominë e vendit, punëtorët tanë dhe familjet e tyre nga një abuzim i pashembullt i pushtetit, i cili i ka detyruar qytetarët dhe ndërmarrjet të blejnë energji me çmime 280% më të larta – vetëm për të mbushur xhepat e kompanive të licencuara nga qeveria”.

Ai po ashtu ka thënë se PDK do të jetë deri në fund në krah të ndërmarrësve dhe qytetarëve të Kosovës, për ta ndalur këtë padrejtësi të madhe dhe për të mbrojtur interesin publik.

Ndryshe, nëntëdhjetë për qind e bizneseve janë shkyçur më 16 gusht nga furnizimi me energji elektrike, ndërsa pjesa tjetër e mbetur do të shkyçen gjatë ditëve të ardhshme.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë përmes një reagimi ka thënë se procesi ka një mori shkeljesh ligjore dhe procedural, derisa ka apeluar Qeverinë e Kosovës dhe ZRRE-në që të pezullojnë menjëherë zbatimin e vendimit dhe të hapin një proces të rishqyrtimit transparent.

 

Exit mobile version